Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti në një takim rektorin e porsazgjedhur të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Ibrahim Gashi, të cilin e përgëzoi për detyrën e re e me përgjegjësi për arsimin e lartë të Kosovës, duke i ofruar mbështetje institucionale për një arsimim cilësor e profesional në shërbim të zhvillimit dhe përparimit.
Presidentja Jahjaga theksoi se Universiteti i Prishtinës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në periudhat kyçe të historisë sonë duke qenë vatër e dijes, e arsimimit dhe e shkencës. Presidentja Jahjaga tha se ky Universitet edhe në të ardhmen do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja për të qenë bartëse të përparimit dhe zhvillimit, ekonomik dhe të përgjithshëm. Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Gashi e informoi Presidenten e vendit për vizionin e zhvillimit të ardhshëm të Universitetit duke ofruar një cilësi të lartë të mësimdhënies të ndërlidhur me hulumtimet shkencore dhe në një partneritet strategjik me Universitetet me renome botërore. Rektori Gashi e njoftoi Presidenten për ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik, që do të ketë një manifestim publik më 1 tetor me pjesëmarrjen e të gjithë studentëve të rinj.