Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, i dërgoi telegram ngushëllimi Presidentit të Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk, pas shpërthimit në balonin fluturues, me ç’rast humbën jetën dhe u lënduan një numër i qytetarëve sllovenë.
Në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Jahjaga thuhet: I nderuari President Turk, Me dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen dhe plagosjen e qytetarëve sllovenë, pas shpërthimit në balonin fluturues në afërsi të Lubjanës. Në emër të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal pranoni ngushëllimet më të thella për humbjen e jetëve të qytetarëve Tuaj. Ju lutem që t’iu përcillni ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave. Në këto çaste pikëllimi për kombin Tuaj, jemi me familjet e atyre që humbën jetën dhe ndajmë dhembjen me ta. Urojmë që të lënduarit të shërohen sa më shpejtë dhe të kthehen pranë familjeve të tyre.