Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizmin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e zgjedhjeve: kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Valdete Daka, kryeprokurorin e shtetit z. Ismet Kabashi, kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Enver Pecin, drejtorin e Policisë z. Shpend Maxhunin dhe kryetarin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa z. Shukri Sylejmanin, me të cilët bisedoi për përgatitjet dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Presidentja tha se qytetarëve duhet t’u sigurohen të gjitha masat që ata të kenë votim të lirë në zgjedhje të qeta, demokratike, gjithëpërfshirëse, të ndershme dhe të drejta. Ajo theksoi se vota e secilit qytetar duhet të jetë e paprekshme, e pacenueshme dhe e lirë në secilën pjesë të vendit.Presidentja theksoi se të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë. Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e zgjedhjeve e njoftuan Presidenten Jahjaga për të gjitha përgatitjet e tyre si dhe me shtimin e masave në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Republikën e Kosovës me qëllim të sigurimit të zgjedhjeve të qeta e të drejta. Ata e njoftuan presidenten Jahjaga edhe për angazhimin e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor.