presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e raundit të dytë të zgjedhjeve komunale

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e zgjedhjeve komunale, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve: kryetaren e KQZ-së, Prokuroren e shtetit, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, koordinatoren nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës si dhe kryetarin e PZAP-it.

Presidentja Jahjaga dhe përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizmin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e zgjedhjeve komunale në Kosovë biseduan për përgatitjet dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse e njoftuan Presidenten Jahjaga për të gjitha përgatitjet e tyre, bashkërendimin ndërmjet vete dhe shtimin e masave në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve komunale me qëllim të sigurimit të zgjedhjeve të qeta e të drejta. Presidentja Jahjaga gjatë ditës ka pritur në takime të ndara edhe përfaqësuesin e Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD), zotëri Betim Musliun, si dhe përfaqësuesit e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare – Demokracia në Veprim, me të cilët bisedoi për procesin e zgjedhjeve komunale në Kosovë me theks të posaçëm në vëzhgimin e gjithë procesit dhe të mekanizmave institucionalë të mandatuar për sigurinë e zgjedhjeve edhe gjatë raundit të dytë. Përfaqësuesi i IKD-së, zotëri Betim Musliu e njoftoi presidenten Jahjaga për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve më 3 Nëntor, si dhe për të gjeturat gjatë vëzhgimit të punës së mekanizmave që garantojnë sigurinë e këtij procesi, prokurorisë së shtetit dhe policisë. Ai ia dorëzoi presidentes edhe raportin për të gjeturat e Institutit gjatë zgjedhjeve të organizuara më 3 Nëntor. Ndërkaq përfaqësuesit e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare – Demokracia në Veprim, e njoftuan presidenten me gjithë punën e tyre përgjatë gjithë procesit të zgjedhjeve përfshirë edhe vëzhgimin e fushatës parazgjedhore të raundit të dytë të zgjedhjeve. Ata shfaqën shqetësimin e tyre me gjuhën e ashpërsuar politike gjatë kësaj fushate por thanë se besojnë që zgjedhjet e ditës së 1 Dhjetorit do të kalojnë të qeta dhe në mënyrë demokratike. Presidentja Jahjaga pas takimeve të zhvilluara gjatë ditës ka dhënë një deklaratë për media. Po e publikojmë të plotë deklaratën e Presidentes: Sapo përfunduam takimin me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e zgjedhjeve komunale, të raundit të dytë – atë të balotazhit. Më herët gjatë ditës kam takuar edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile – vëzhgues të punës së prokurorisë dhe të të gjithë procesit të zgjedhjeve. Kemi diskutuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve komunale në këtë raund dhe posaçërisht për sigurinë e votuesve në zgjedhje dhe kemi vlerësuar se të gjithë mekanizmat janë të përgatitur për garantimin e zgjedhjeve të drejta dhe të lira dhe për suksesin e tyre.Më 3 Nëntor, Kosova ka dëshmuar pjekurinë politike dhe nivelin e demokratizimit të shoqërisë. Kemi kaluar nëpër një test të rëndësishëm si shoqëri dhe si shtet, duke organizuar zgjedhje të mira, gjithëpërfshirëse në të cilat qytetarët tanë kanë votuar lirshëm dhe pa frikë. Zgjedhjet e 3 Nëntorit, të mbajtura për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht, kanë dëshmuar këmbëngulësinë e tërë shoqërisë së Kosovës dhe seriozitetin e institucioneve të saj për të garantuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në gjithë territorin e vendit, përmes organizimit të zgjedhjeve të lira.Qytetarët e Kosovës nesër sërish do të votojnë dhe ne duhet të sigurojmë që ata të kenë votim të lirë. Duhet të garantojmë zgjedhje të qeta e demokratike, zgjedhje të ndershme dhe të drejta, ku vota e secilit qytetar të jetë e paprekshme, e pacenueshme dhe e lirë. Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të votojnë pa frikë kudo, në secilën pjesë të vendit dhe vota do t’u garantohet. Ligji do të zbatohet në rast të cenimit të votës së lirë dhe askush nuk do të amnistohet për shkelje të së drejtës elementare të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Zgjedhjet e 1 dhjetorit duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë. Duhet të dëshmojnë integrimin e secilit qytetar në shoqërinë dhe institucionet e vendit, edhe të atyre të komunitetit serb në veri të territorit të Republikës. Dhe kjo do të përmbyllë një kapitull të kundërshtive mes nesh – duke i bërë të gjithë qytetarë të Republikës së Kosovës, dhe duke hapur perspektivën e integrimeve evropiane. Nesër është testi përfundimtar dhe ne duhet ta kalojmë atë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.