DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Konferencën e Tretë Vjetore të Gjyqësorit të Kosovës

Vite më parë, kur kemi filluar të ngrisim sistemin e drejtësisë në Kosovë, e kemi bërë të qartë se shteti i së drejtës ndërtohet mbi sundimin e ligjit dhe të rendit dhe ku zbatimi i Kushtetutshmërisë është themeli i shtetësisë.

Të nderuar pjesëmarrës, Vite më parë, kur kemi filluar të ngrisim sistemin e drejtësisë në Kosovë, e kemi bërë të qartë se shteti i së drejtës ndërtohet mbi sundimin e ligjit dhe të rendit dhe ku zbatimi i Kushtetutshmërisë është themeli i shtetësisë. Ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm, profesional, të paanshëm dhe politikisht të pandikueshëm të drejtësisë shënon përpjekjen tonë të pareshtur për ta funksionalizuar atë dhe për ta bërë më të pranueshëm për qytetarin dhe më të besueshëm për të.  Qëndrueshmëria e Kosovës si një shtet i sundimit të ligjit ndihmon në ecjen tonë përpara. Sundimi i ligjit dhe gjykatat efektive janë pjesë thelbësore që garantojnë përparimin e gjithmbarshëm të shoqërisë sonë dhe avancojnë proceset tona drejt integrimeve evropiane.   Ju keni bërë punë deri sot. Keni nisur një proces të reformimit të thellë të sistemit të drejtësisë dhe kjo duhet të kryhet. Duhet të intensifikohen këto reforma jo vetëm në kuadër të legjislacionit por edhe në ndërtimin e politikave më të mira për zbatimin e tij, sepse funksionalizon sistemin tonë demokratik duke garantuar integritetin e gjykatave. Kjo mundëson funksionimin tonë si tërësi unike. Reformat në fushën e drejtësisë janë një hap i madh i yni që tregon se ne jemi gati të marrim përgjegjësi. Tregon se ne dimë dhe mund të bëjmë Kosovën vend të sundimit të ligjit. Sundimi i ligjit nënkupton edhe ndihmën që ne si institucione duhet t’u ofrojmë të gjitha grupeve të margjinalizuara që të kenë qasje në drejtësi.  Sepse ne – Qytetarët e Republikës së Kosovës, jemi të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës dhe sepse institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta garantojnë këtë të drejtë. Ju bie barra juve, gjykatës, njerëz të drejtësisë, që ta ngrisni sistemin e besueshëm për qytetarin, sepse me integritetin tuaj personal dhe profesional ju bëheni shembulli më i mirë i funksionimit të shtetit dhe vendosni parimin e përgjithshëm në shoqëri që nënkupton zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit. Zinxhiri i funksionimit të institucioneve të mandatuara për zbatimin e ligjit, përfshirë gjykatat, prokuroritë dhe edhe policinë e Kosovës duhet  të jetë i pashkëputshëm, sepse kjo garanton zbatimin e plotë të ligjit dhe kthen besimin e qytetarëve në institucionet tuaja. Por ju jeni të pavarur në punën tuaj dhe kjo pavarësi duhet të shndërrohet në rezultat konkret të zbatimit të ligjit dhe gjithashtu nënkupton qëndrueshmëri edhe për shoqërinë edhe për shtetin. Gjatë zgjedhjeve të 3 Nëntorit kemi treguar se institucionet e drejtësisë janë efikase dhe mobilizohen për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve të republikës së Kosovës. Kjo është vetëm një pjesë e testit që kemi kaluar. Nesër duhet ta dëshmojmë se jemi shoqëri e pjekur politikisht, dhe sepse sistemi demokratik që kemi ngritur na garanton paprekshmërinë e votës dhe lirinë e plotë për të vendosur vetë. Dhe kjo garanci për lirinë e votës duhet të jetë për çdo qytetar, kudo, në çdo pjesë të Kosovës, edhe në veri të territorit të Republikës së Kosovës, për komunitetin serb, për t’ia mundësuar atij integrimin më të lehtë dhe më të sigurt në shoqërinë dhe institucionet e vendit. Detyra jonë e përbashkët është që ta bëjmë Kosovën shtet të secilit qytetar të tij, pa dallim, dhe shtet me integritet të plotë. Nesër është sërish detyra jonë e përbashkët që të tregojmë fuqinë e shtetit ligjor, që garanton pacenueshmërinë e votës së qytetarit duke ndihmuar procesin e demokratizimit të plotë të vendit tonë.    Të nderuar pjesëmarrës, Ne ende duhet të përmbyllim edhe një betejë tjetër tonën: atë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Luftën kundër këtyre dukurive e kemi shndërruar në përparësi të punës sonë për ta fituar dhe për të treguar se duam të ndërtojmë shtet demokratik me standardet më të larta, për të mirën e qytetarit dhe të ardhmes së tij. Le të mos e konsiderojmë këtë vetëm si një kriter për integrim evropian, por si një standard të shoqërisë sonë, të pastër, pa korrupsion e krim të organizuar. Le të dëshmojnë se gjeneratat e reja e kanë të sigurt të ardhmen dhe të mos na vlerësojnë të paguximshëm për të kryer punën tonë. Dhe në fund, ju përgëzoj për këtë organizim dhe ju inkurajoj që të vazhdoni me krijimin e këtyre politikave për implementim më të mirë të ligjeve në fuqi. Ju garantoj se të gjitha nismat për forcimin e rendit dhe ligjit e kanë përkrahjen time.  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.