presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti një delegacion të kongresistëve të Kongresit të SHBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim delegacionin e kongresistëve të Kongresit të SHBA-së, zotëri Vern Buchanan, zotëri David Price, zotëri Adrian Smith, zonjën Dina Titus dhe zonjën Susan Davis, me të cilët bashkëbisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë si dhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e partneritetit të Kosovës me SHBA-në dhe angazhimin amerikan për stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Ajo tha se vazhdimi i pranisë amerikane, përmes angazhimit në forcën paqeruajtëse të NATO-s, ka një domethënie të madhe për sigurinë dhe paqen në gjithë rajonin dhe është një garantuese e stabilitetit. Ajo theksoi se Kosova sot ka nevojë për forcimin e mëtejmë të partneritetit me SHBA-në për të garantuar suksesin në proceset demokratike në të cilat aktualisht ndodhet.Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka arritur të konsolidohet në skenën ndërkombëtare dhe po kërkon vendin e saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në dhe BE-në. Ajo tha se Kosova është një faktor i stabilitetit dhe i fqinjësisë së mirë dhe ka treguar edhe përkushtimin e saj për të jetuar ne paqe  me të gjithë fqinjët e saj përfshirë edhe Serbinë, me të cilën aktualisht ndodhet në një proces të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e mbajtjes hapur të perspektivës evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit, që do të ndihmonte të gjitha vendet e Evropës Juglindore përfundimin e reformave në shoqëri, ruajtjen e momentit të krijuar të marrëdhënieve të mira dhe do të pengonte ndikimet nga një palë e tretë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është duke forcuar sundimin e ligjit dhe të rendit dhe po bëhet një kontribuuese e fuqishme në fushën e sigurisë globale, si një partnere e rëndësishme ndërkombëtare në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe se vendi asnjëherë nuk do të bëhet strehë e sigurt për ekstremistët. Presidentja Jahjaga foli edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe përpjekjet, pas 15 vjet të përfundimit të luftës, për të rehabilituar dhe re integruar në shoqëri viktimat e kësaj dhune. Anëtarët e delegacionit të kongresistëve të Kongresit të SHBA-së vlerësuan të arriturat e mëdha të Kosovës dhe theksuan mbështetjen e SHBA-së për proceset në të cilat ndodhet vendi. Ata thanë se gjatë vizitës kanë parë kapacitet të mëdha njerëzore dhe resurse natyrore për një zhvillim ekonomik të vendit që do të mundësojë hapjen e vendeve të punës për të rinjtë e Kosovës. Anëtarët e delegacionit theksuan rëndësinë e forcimit të partneritetit të SHBA-së me Kosovën dhe kërkimin e mënyrave të bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik, me mundësi të investimeve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.