presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti ambasadorin e ri të SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadorin e ri të SHBA-së në Kosovë, zotëri Greg Delawie, i cili i dorëzoi letrat kredenciale.

Pas ceremonisë zyrtare të dorëzim-pranimit të letrave kredenciale, Presidentja Jahjaga i dëshiroi mirëseardhje dhe punë të mbarë ambasadorit Delawie, dhe më pastaj biseduan për çështje të aktualitetit në Kosovë, sundimin e rendit dhe të ligjit, forcimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekstremizmit, rrugën evropiane të Kosovës dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Delawie theksuan rëndësinë e partneritetit dhe të miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së dhe nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit. Ata thanë se përparimi në fushën e sundimit të ligjit do të ndihmojë vendin edhe në hapjen e perspektivës ekonomike dhe krijimin e një klime të mirëbesimit për investime të huaja.Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, zotëri Greg Delawie, e falënderoi Presidenten për mikpritjen e ngrohtë dhe theksoi rëndësinë e thëllimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.Presidentja Jahjaga dhe ambasadori i SHBA-së, Delawie, bën një shëtitje në qendrën e qytetit të Prishtinës ku vizituan edhe panairin “Java e Mjedrave” që promovon prodhimin vendor dhe që mbështetet nga USAID-i.Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Ambasadori Delawie dhanë nga një deklaratë për media, të cilat po i sjellim në vazhdim:Presidentja Jahjaga: Kam nder të jashtëzakonshëm që t’i uroj mirëseardhje në Kosovë, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe familjes së tij, dhe t’i uroj punë të mbarë në detyrën e re në Kosovë.Së bashku, z. Ambasador, ne do të thellojmë partneritetin dhe miqësinë permanente mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Kemi kaluar një rrugë të gjatë për ta bërë Kosovën shtet. Sot shteti ynë është promovues i paqes, sigurisë dhe stabilitetit, një demokraci e re dhe dinamike, në përpjekje të vazhdueshme për t’u përmirësuar, për t’u shndërruar në vend ku sundon rendi dhe ligji.Ambasador, në këtë rrugëtim populli i Kosovës ka gëzuar besimin e shtetit tuaj dhe mbështetjen e tij të pakursyer për t’i realizuar idealet dhe vlerat tona të përbashkëta. Kosova mbetet e palëkundur në këtë përkushtim.Përparimi i Kosovës është i jashtëzakonshëm. Natyrisht, neve na presin shumë punë për ta bërë këtë përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.Përpjekjet tona të përbashkëta kam besim se do ta mundësojnë ndërtimin e shtetit gjithëpërfshirës, dhe shtetit të së drejtës, që hap perspektivën për secilin qytetar, pa dallim dhe që e afron shtetin e Kosovës drejt qëllimit të saj për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Kosova ka dëshmuar se është shtet që i kupton seriozisht obligimet e veta ndërkombëtare dhe që jemi partnerë të rëndësishëm në konfrontimin e sfidave globale që kërcënojnë sigurinë tonë të përgjithshme.Mbetet synim i ynë që të bëhemi pjesë e pandashme e organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë për ta dhënë kontributin tonë në agjendën e përbashkët.Ne kemi treguar përkushtimin për ndërtimin e marrëdhënieve të mira në rajon dhe i kemi hapur rrugën bashkëpunimit përmes dialogut dhe përmes arritjes së marrëveshjeve për ta bërë paqen të qëndrueshme dhe për t’i hapur perspektivën tërë rajonit.Ambasador Delawie, më lejoni që edhe njëherë t’ju shpreh mirëseardhjen time, në emër të popullit të Kosovës dhe të institucioneve të saj – duke u përkushtuar gjithnjë në partneritetin dhe miqësinë, vlerat dhe idealet që dy vendet tona i ndajnë së bashku. Ambasadori Delawie: Mirëdita të gjithëve. Faleminderit Presidente Jahjaga për mikpritjen e veçantë që ju dhe stafi juaj na ofruat sot.Kam nderin që përfaqësoj presidentin Obama dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtu në Kosovë. Jam krenar që po i bashkohem listës së gjatë të zyrtarëve amerikanë që mund t’ju quajnë juve – dhe Kosovën – miq. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë miq të palëkundur të Kosovës që prej hapjes së Zyrës Informative në vitin 1996. Tash, përderisa po bëhemi gati që me zell ta shikojmë ndërtimin e ambasadës së re gjatë mandatit tim, bashkëshortja ime Vonda, fëmijët tanë, Torrence dhe Fred dhe unë jemi shumë të lumtur që jo vetëm do ta kemi rastin t’i shohim vendet historike dhe kulturore në Kosovë, por edhe t’i shijojmë bukuritë e saj natyrore. E kam në plan që të zhytem në këtë menjëherë gjatë kësaj fundjave. Po ashtu, i pres me padurim bisedat me prijësit qeveritarë, grupet afariste dhe me shoqërinë civile. E di se do të dëgjoj shumë për sfidat e shumta me të cilat përballeni, por edhe idetë tuaja të mira për vazhdimin e partneritetit tonë të fuqishëm përmes së cilit mund të arrijmë edhe më shumë suksese dhe të arritura.Jam i bindur se, duke punuar së bashku, udhëheqësit kosovarë mund ta vazhdojnë ta çojnë përpara sundimin e ligjit ta forcojnë sigurinë rajonale, të ndërtojnë institucione të fuqishme demokratike dhe ta vazhdojnë punën e rëndësishme për të ofruar mundësi ekonomike për të gjithë. Po ashtu, pres me padurim t’i takoj të rinjtë e Kosovës, për të mësuar nga gjenerata e prijësve të ardhshëm rreth sfidave me të cilat përballet vendi. Ishte kënaqësi dhe nder që mora pjesë në këtë ceremoni sot, e cila shënon fillimin zyrtar të punës sime me Qeverinë e Kosovës. Mezi po pres që t’ia filloj punës. Ju faleminderit shumë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.