Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të komunitetit malazez në Kosovë, të përfaqësuar nga Snezhana Karaxhiq dhe Slobodan Vujiçiq, të dy kryetarë të dy Lidhjeve të veçanta të Malazezëve të Kosovës.
Përfaqësuesit e komunitetit malazez në Kosovë e njoftuan presidenten Jahjaga me angazhimin, punën dhe problemet me të cilat përballet ky komunitet dhe theksuan nevojën e përfshirjes më të madhe të tij në jetën institucionale e shoqërore të Kosovës, në të gjitha nivelet. Ata thanë se komuniteti malazez që jeton në Kosovë është i integruar në jetën shoqërore, por vlerësuan se pjesëtarët e tij kanë nevojë për ruajtjen e identitetit të tyre dhe hapjen e mundësive më të mëdha në të gjitha fushat.Presidentja Jahjaga e vlerësoi integrimin e komunitetit malazez në jetën shoqërore të Kosovës dhe theksoi se ky komunitet me ligj është i pranuar sikurse edhe të gjitha komunitetet e tjera në vend. Ajo tha se Kosova është një shtet i qytetarëve të barabartë dhe se edhe qytetarët e komunitetit malazez ndajnë të njëjtën perspektivë me të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim.Presidentja Jahjaga theksoi se po bëhen përpjekje që komuniteti malazez së bashku me komunitetin kroat, të përfshihen në Kushtetutën e Kosovës. Ajo kërkoi nga përfaqësuesit e komunitetit malazez të vazhdojnë përfaqësimin në Këshillin Konsultativ për Komunitete, që udhëhiqet nga Presidentja, dhe që përmes tij të shtrojnë të gjitha shqetësimet, problemet dhe nevojat që kanë.