DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti një delegacion të Federatës së Hendbollit të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Federatës së Hendbollit të Kosovës, të kryesuar nga presidenti i Federatës, zotëri Eugen Saraçini.

Delegacioni i FHK-së e njoftoi Presidenten Jahjaga për aktivitetin e Federatës dhe zotëri Saraçini prezantoi të arriturat e deritashme duke theksuar se Federata e Hendbollit të Kosovës, është pranuar si anëtare e barabartë e Federatës Evropiane të Hendbollit dhe njëkohësisht edhe e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit. Zotëri Saraçini tha se hendbolli i Kosovës ka bërë një hap të madh në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes së institucioneve të vendit në këtë drejtim. Delegacioni e informoi Presidenten edhe për aktivitetet dhe angazhimet e FHK-së në të ardhmen.Presidentja Jahjaga duke e përgëzuar Federatën e Hendbollit të Kosovës për suksesin e arritur tha se ndërkombëtarizimi i sportit të Kosovës, në përgjithësi ndihmon të rinjtë e të rejat e Kosovës, që të përfaqësojnë vendin e tyre në arenën ndërkombëtare, por gjithashtu edhe të bëhen pjesë e barabartë në çdo fushë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë. Ajo tha se Kosova po bën përpjekje të vazhdueshme që të behët anëtare e plotë e të gjitha institucioneve ndërkombëtare si shtet kontribuues për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë fuqishëm të angazhuara për të mbështetur aktivitetet e çdo fushe, qoftë të sportit, kulturës e artit si dhe i vlerësoj lartë të gjitha të arriturat në skenën ndërkombëtare.Delegacioni i FHK-së në fund të takimit i dhuroi Presidentes Jahjaga flamurin e kësaj Federate dhe një monografi të Hendbollit të Kosovës, që përmbledhë aktivitetin 60 vjeçar të këtij sporti në Kosovë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.