Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, të udhëhequr nga Prof. Dr. Minir Efendija.
Në takim ajo theksoi se investimi në një arsim të barasvlershëm dhe të njohur ndërkombëtarisht, në përputhje me nevojat e ekonomisë dhe shoqërisë, e shtyn përpara kulturën e kreativitetit dhe shpirtit të sipërmarrjes.Kujdes i posaçëm duhet shtuar shkencave ekzakte, matematikës dhe teknologjisë. Në kuadër të kompetencave kushtetuese, shkencat ekzakte dhe sidomos fizika e matematika do ta kenë përkrahjen time, ato kanë nevojë për mbështetjen tonë ashtu që pastaj të na mbështesin në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit, tha Presidentja Jahjaga.Ajo shtoi se nxitja e rezultateve të mira, modernizimi, integriteti akademik, bashkëpunimi me sektorë të ndryshëm profesionalë brenda vendit, konkurrenca dhe ndërkombëtarizimi do t’i ndihmojnë arsimit të lartë në Kosovë që t’i afrohet standardeve evropiane.Unë e vlerësoj lart punën e profesorëve dhe studentëve tanë dhe ata do ta kenë përkrahjen time të vazhdueshme dhe të pakursyer, tha Presidentja Jahjaga.Dekani i FSHMN, Prof. Dr. Minir Efendija, pasi falënderoi për pritjen, tha se kjo dëshmon përkushtimin e Presidentes për ta përkrahur arsimin dhe shkencën.FSHMN ka 5000 studentë dhe paraqet boshtin e UP-së. Kuadri ynë ndihmon jo vetëm Kosovën, por edhe Maqedoninë, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi. Kuadri ynë punësohet jo vetëm në arsim, por edhe në banka, agjenci sigurimesh, etj. Kontributi shkencor i shumë prej profesorëve tanë çmohet ndërkombëtarisht dhe ne kemi nevojë për përkrahje për ta realizuar misionin tonë, tha dr. Efendija.