presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti një delegacion të deputetëve të Parlamentit Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme (AFET) dhe Nënkomisionit për Siguri dhe Mbrojtje (SEDE) të Parlamentit Evropian, të udhëhequr nga z. Kristian Vigenin, të cilët po qëndrojnë për një mision faktmbledhës në Kosovë.

Presidentja Jahjaga njoftoi eurodeputetët me zhvillimet e fundit në vendin tonë, për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për progresin e arritur në rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës. Ajo falënderoi Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe rajonin në proceset integruese.  Ajo vlerësoi se viti 2012 shënon vitin e rëndësishëm për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, me publikimin e Studimit të Fizibilitetit, nisjen e Dialogut për Liberalizim të Vizave dhe Dialogut për Sundimin e Ligjit. Ajo nënvizoi se vendosja e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, do të ketë ndikim të rëndësishëm në proceset demokratike dhe reformat e brendshme. Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për përmbushjen me kohë të të gjitha obligimeve të BE-së.  Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Jahjaga tha se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e raporteve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ajo nënvizoi edhe rëndësinë e përmbushjes së marrëveshjeve të arritura deri më tani përmes dialogut dhe kërkoi ndihmën e institucioneve të BE-së për të siguruar respektimin e këtyre marrëveshjeve nga Republika e Serbisë.  Presidentja Jahjaga ritheksoi qëndrimin e saj se situata në tri komunat në veri të vendit është e patolerueshme dhe duhet të ndryshojë. Komuniteti serb në këto komuna duhet të lirohet nga të qenit peng i strukturave ilegale dhe paralele dhe të orientohet kah zgjidhja afatgjate që është organizimi i zgjedhjeve sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës në mënyrë që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim. Në këtë kuadër një kontribut të rëndësishëm do ta jepte shteti fqinj Serbia duke ndalur financimin për strukturat paralele dhe duke i shuar këto struktura. Ky do të ishte një lajtmotiv i mirë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që është edhe kërkesë eksplicite e bashkësisë ndërkombëtare.        Eurodeputetët gjatë këtij takimi vlerësuan rolin aktiv dhe unifikues të Presidentes Jahjaga në të gjitha proceset demokratike të Kosovës. Ata vlerësuan se në aspektin e ndërtimit të institucioneve, që është thelbësore për procesin e integrimit, Presidentja Jahjaga ka konsoliduar institucionin e Presidencës dhe i ka dhënë Kosovës prestigjin e duhur në rajon. Delegacioni i eurodeputetëve shprehu përkushtimin që Parlamenti Evropian do të ofrojë mbështetjen e vazhdueshme për kauzën e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ata vlerësuan se rajoni ka nevojë për një qasje të zhvillimit pozitiv, përmirësim të atmosferës së përgjithshme, me qëllim që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen më atraktive për investime të jashtme dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.