DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti një delegacion të Bundestagut gjerman

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Bundestagut gjerman, i udhëhequr nga zotëri Johannes Selle, dhe shoqëruar nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, zoti Peter Blomeyer.

Presidentja Jahjaga vlerësoi vizitën e delegacionit të Bundestagut dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën në përmbushjen e vizionit të integrimit në Bashkimin Evropian. Presidentja Jahjaga theksoi se agjenda evropiane gëzon konsensus të gjerë kombëtar dhe nivel të lartë të mbështetjes nga të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet e Kosovës. Presidentja tha se përshpejtimi i procesit të integrimit evropian të Kosovës do të ishte nxitje e mëtutjeshme për reforma, konsolidimin demokratik, rritjen ekonomike si dhe do të dërgonte sinjal të duhur për të gjithë qytetarët e Kosovës se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian. Presidentja Jahjaga e njoftoi delegacionin e Bundestagut gjerman edhe për procesin e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të cilin e cilësoi si të vetmen mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kryesuesi i Delegacionit të Bundestagut gjerman, zotëri Johannes Selle, theksoi se Gjermania përkrahë synimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai tha se projekti i Evropës së bashkuar ka qenë i suksesshëm dhe ne dëshirojmë që edhe Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës. Ai theksoi se kjo rrugë do të jetë e gjatë por Kosova tashmë ka bërë hapat e parë dhe të rëndësishëm në këtë rrugë. Zyrtarët gjermanë duke folur për intensifikimin ekonomik ndërmjet dy vendeve theksuan se Kosova duhet të vazhdojë të fuqizojë infrastrukturën e investimeve me qëllim që më shumë investime të bizneseve gjermane të mund të vijnë në Kosovë. Kosova gjithashtu duhet të orientohet në ofrimin e arsimimit modern dhe praktik që i përshtatet nevojave të tregut dhe investitorëve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.