Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë, z.Ernst Reichell.
Presidentja Jahjaga e falënderoi ambasadorin Reichell për angazhimin e tij gjatë mandatit në Kosovë dhe shprehu mirënjohje dhe falënderime për ndihmën e shtetit gjerman dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës në të gjitha fushat dhe në veçanti në procesin e integrimeve evropiane. Presidentja Jahjaga tha se edhe përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është një sukses i yni i përbashkët, i popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, i arritur me ndihmën dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, dhe të punës së misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Ndërsa ambasadori gjerman, në takimin lamtumirës, uroi presidenten Jahjaga për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe e përgëzoi atë për angazhimin e saj të vazhdueshëm, në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj.