Presidentja e Republikë së Kosovës Zonja Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe përfaqësuesit e 15 kompanive vendore dhe atyre nga diaspora.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi z. Gërxhaliu dhe biznesmenët për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Ajo theksoi përkushtimin e saj dhe të institucioneve për krijimin e klimës më të favorshme për zhvillim të bizneseve vendore, atyre nga diaspora si dhe për tërheqje të investimeve të huaja. Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, z. Safet Gërxhaliu e njoftoi Presidenten Jahjaga me kushtet e të bërit biznes në Kosovë dhe kërkoi mbështetjen e saj për një klimë më të favorshme për zhvillimin e ndërmarrjeve vendore si dhe për plasimin e produkteve vendore në tregun ndërkombëtarë.Në emër të Odës Ekonomike e Kosovës, z. Gërxhaliu i dorëzoi Presidentes Jahjaga mirënjohjen për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës, për promovimin dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.