Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçin dhe Koordinatorin e Procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zotëri Blerim Shalën, të cilët e njoftuan Presidenten e vendit për raundin e fundit të bisedimeve që u mbajt në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Thaçi theksoi se takimi i fundit në kuadër të dialogut u zhvillua në atmosferë konstruktive dhe palët i paraqitën qëndrimet e tyre.Delegacioni i Republikës së Kosovës mbështeti qëndrimin për zgjidhjet kushtetuese dhe ligjore që janë në interes të të gjithë qytetarëve, të paqes dhe të stabilitetit, që hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe ndihmon të dyja vendet në agjendën e integrimeve evropiane.Palët nuk arritën t’i harmonizojnë të gjitha qëndrimet dhe u kërkua kohë shtesë për të marrë vendim të përgjegjshëm. Baronesha Ashton do të njoftohet përfundimisht deri më datën 9 prill për vendimet. Në ditët në vijim, diplomacia evropiane dhe amerikane do të bëjnë përpjekje për t’i bindur palët që marrëveshja të arrihet dhe që të garantohet zbatimi i saj.Presidentja Jahjaga i dha mbështetje të plotë qëndrimit të Kryeministrit për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy vende të pavarura dhe sovrane. Presidentja Jahjaga theksoi se rruga e dialogut nuk ka alternativë dhe se zgjidhjet e ofruara jo vetëm që janë në harmoni me kushtetutën dhe me ligjet e vendit, por njëherit janë edhe zgjidhje evropiane në dobi të të gjithë qytetarëve dhe në krijimin e kushteve për rend dhe sundim të ligjit.Presidentja theksoi se dialogu ndikon në vendosjen e marrëdhënieve normale ndërmjet të dyja shteteve që duhet të ndihmojnë njëra tjetrën në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke ndërtuar raporte të mira fqinjësore.