Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi, i cili e njoftoi për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve praktike dhe për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri gjithashtu e informoi Presidenten për procesin e reformës zgjedhore që po e ndërmarrin partitë dhe subjektet politike. Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës biseduan edhe për politikën ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, si dhe për fuqizimin e diplomacisë kosovare.Presidentja Jahjaga shprehu mbështetjen për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rezultatet konkrete në relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura e sovrane, në rend dhe në sundim të ligjit dhe në integrimin e të gjithë qytetarëve në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës.Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri i Kosovës Thaçi biseduan edhe për dinamizimin e politikës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës drejt njohjeve të reja dhe anëtarësimit të vendit në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në plotësimin e të gjitha standardeve të nevojshme në rrugën e integrimeve evropiane.