presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Komisionerin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Stefan Fule.

Presidentja Jahjaga dhe Komisioneri Fule diskutuan për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave si dhe për rëndësinë që procesi i integrimit evropian të mbetet një përpjekje gjithëshoqërore. Presidentja e falënderoi z. Fule për kontributin e tij në avancimin e proceseve drejt integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se në dy vitet e fundit është bërë progres i konsiderueshëm dhe ne dëshirojmë që ky proces të jetë konsistent dhe në përputhje me perspektivën evropiane të rajonit. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës mbesin të përkushtuara për të vazhduar me të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim të vendit në BE. Në këtë rrafsh ajo shprehu kënaqësinë me efikasitetin e përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Presidentja Jahjaga me Komisionerin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Stefan Fule, bisedoi edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku tha se në këtë fushë është arritur progres i konsiderueshëm dhe Kosova është e interesuar të intensifikohen përpjekjet nga të dyja palët në kuadër të dialogut për viza. Presidentja Jahjaga gjithashtu shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ajo tha se janë arritur marrëveshje të rëndësishme por duhet të ketë zbatim të tyre në praktikë, ndërkohë që Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se anëtarësimi i saj në BE është i kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Komisioneri për Zgjerim i Komisionit Evropian, Stefan Fule theksoi se Kosova ka perspektivë të qartë evropiane dhe rruga e saj drejt integrimit varet nga të arriturat dhe përmbushja e reformave në vend. Ai nënvizoi se suksesi në përmbushjen e reformave do të përcaktojë edhe dinamikën e proceseve integruese të Kosovës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.