presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti ekipin e aktorëve dhe të producentëve të filmit “Tri dritare dhe një varje“

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim ekipin e aktorëve dhe të producentëve të filmit “Tri dritare dhe një varje“ të udhëhequr nga regjisori Isa Qosja.

Presidentja Jahjaga e përgëzoi regjisorin Qosja dhe gjithë ekipin e filmit, që flet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, për punën e jashtëzakonshme me të cilën pasqyrohet realiteti për viktimat e dhunës seksuale si dhe trajtimi i tyre nga familja dhe nga shoqëria. Presidentja Jahjaga theksoi se realizimi i këtij filmi është edhe kontribut për punën e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, që synon rregullimin e statusit dhe përkujdesjen institucionale për viktimat si dhe ndërkombëtarizimin e kësaj çështje, me qëllim që kryesit e këtyre akteve të përballen me drejtësinë. Regjisori i filmit “Tri dritare dhe një varje“, Isa Qosja theksoi se përmes këtij projekti artistik ai së bashku me artistët dhe gjithë ekipin është përpjekur të paraqes njërën ndër plagët më të rënda që ka lënë lufta në Kosovë. Presidentja Jahjaga me regjisorin Qosja dhe me ekipin e filmit bisedoi edhe për pjesëmarrjen në festivalet ndërkombëtare të filmit, për punën dhe për sfidat me të cilat janë përballur gjatë realizimit të këtij filmi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.