DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga: Politika e jashtme e Kosovës të jetë më e fuqishme, më dinamike dhe më energjike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe një grup të ambasadorëve të Republikës së Kosovës në vende të tjera. Me këtë rast, ministri Hoxhaj ia dorëzoi Presidentes Jahjaga “Strategjinë për njohje”, një dokument i punuar javëve të fundit dhe i cili do të shërbejë si udhërrëfyes për koordinimin e aktiviteteve të institucioneve të vendit tonë drejt sigurimit të njohjeve të reja për Republikën e Kosovës.

“Kosova tash e tutje do të ketë një strategji për njohje dhe ne do të vazhdojmë drejt synimeve tona, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, në organizatën e Kombeve të Bashkuara gjithsesi edhe në NATO. Republika e Kosovës, po ashtu, do të vazhdojë punën për anëtarësimin e saj në të gjitha organizatat rajonale, po ashtu edhe në ato globale. Kosova do të vazhdojë procesin e saj të njohjeve të pavarësisë me shtetet e ndryshme dhe kjo do të realizohet konform kësaj strategjie dhe do të bëhet edhe përmes ndihmës së shteteve të cilat janë mike të Republikës së Kosovës, sigurisht kuptohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet më të mëdha të Bashkimit Evropian”, tha Presidentja Jahjaga në një deklaratë bërë pas takimit.
 
“Kosova është një shtet që siguron paqe dhe siguri në rajon dhe roli i saj në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe gjithnjë e më shumë po rritet. Ne kemi marrëveshje me shtete të ndryshme të cilat kryesisht hyjnë në spektrin e bashkëpunimit si në qarkullimin e lirë të njerëzve, të ideve dhe të kapitalit dhe ne gjithsesi do t’i vazhdojmë proceset tona në planet e përbashkëta që kryesisht hyjnë në kornizën e zhvillimit ekonomik, fillimisht me shtetet fqinje dhe të prosperitetit për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Presidentja Jahjaga .
 
“Unë si bartëse e politikës së jashtme, do të jem e vendosur që politika e jashtme e Republikës së Kosovës të jetë më e fuqishme, më dinamike dhe më energjike. Ky dokument, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, do të na ndihmojë shumë, sidomos tani në situatën sfiduese në të cilën gjendemi”, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
 
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, duke folur për dokumentin që ia dorëzoi Presidentes Jahjaga theksoi se Strategjia për njohje është një dokument që përbëhet prej tri pjesëve.
 
Pjesa e parë – tha ai –  ka një analizë të përgjithshme, e cila analizon gjendjen e Republikës së Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, situatën e brendshme, situatën e jashtme dhe, në të njëjtën kohë, ofron orientime dhe metodologji se si duhet të punohet në të ardhmen që Republika e Kosovës të njihet edhe nga shumë shtete në botë, të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
 
Pjesa e dytë është një pjesë e cila mbi të gjitha analizon në raste të veçanta secilin shtet veç e veç, pse një shtet i caktuar nuk e ka njohur Kosovën, cilat janë motivet e këtij shteti që s’e ka njohur Kosovën, a janë arsye politike, etnike, kulturore, cila është pozita rajonale e këtij shteti, me cilat shtete ky vend ka relacione të veçanta dhe cilat personalitete në këtë shtet kanë ndikim të veçantë që ky shtet ta njehë Republikën e Kosovës, tha ministri Hoxhaj, për të shtuar se pjesa e tretë e kësaj strategjie është një plan konkret i veprimit, i cili parasheh vizita të shumë zyrtarëve të Republikës së Kosovës, të Zonjës Presidente, të kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit, të deputetëve, të partive në opozitë, të njerëzve të shoqërisë civile dhe pjesëmarrjen e tyre në forume dhe në konferenca ndërkombëtare me qëllim që Republika e Kosovës të ketë sa më shumë njohje.
 
“Qëllimi ynë është që ta kemi një politikë të jashtme aktive, dinamike dhe e cila përfaqëson interesin shtetëror të Kosovës, interesat e saj politike dhe ekonomike dhe, mbi të gjitha, edhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë në pjesë të tjera të botës”, theksoi ministri Enver Hoxhaj.

This site is registered on wpml.org as a development site.