Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pati sot një drekë pune me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Kosovën, zotëri Samuel Zhbogar. Në drekën e punës mori pjesë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, zonja Vlora Çitaku.
Presidentja Jahjaga fillimisht falënderoi ambasadorët për mbështetjen që vendet e tyre po i japin Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së dhe vlerësoi se me nisjen e procesit të Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit është krijuar një moment i ri për Kosovën në përpjekjet e saj të integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga i njoftoi ambasadorët për krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, si një mekanizëm gjithëpërfshirës, nën udhëheqjen e saj, dhe tha se kjo nismë tregon seriozitetin drejt përmbushjes së vizionit evropian për Kosovën. Ajo tha se Këshilli ka për qëllim që të ndërtojë një konsensus institucional dhe shoqëror, të rekomandojë veprime konkrete në procesin e integrimeve si dhe të kërkojë angazhimin e nevojshëm për zbatimin e reformave.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe tha se është e rëndësishme që ky proces të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, meqë do të çonte një sinjal pozitiv për qytetarët e Kosovës se edhe ata kanë një perspektivë evropiane. Presidentja tha se pret marrjen sa më shpejtë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, të bazuar mbi parimet dhe kriteret e ngjashme me të gjitha vendet e tjera të rajonit si dhe në përputhje me politikat e zgjerimit të BE-së.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se Kosova ka dëshmuar se është faktor paqeje dhe stabiliteti dhe se është një shembull i ndërtimit të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit.
Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë kundër mbajtjes së çfarëdo zgjedhjeve të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës sepse ato shkelin sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Republikës së Kosovës e njohin të drejtën ndërkombëtare për shtetasit me shtetësi të dyfishtë dhe janë të gatshme të respektojnë konventat ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Kosovën, zotëri Samuel Zhbogar, e vlerësoi si të rëndësishëm themelimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian për ndërtimin e konsensusit shoqëror në procesin e integrimit evropian të Kosovës, reformave konkrete për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe studimin e fizibilitetit.
Z. Zhbogar përsëriti përkushtimin e BE-së dhe ambasadorëve të vendeve të BE-së të pranishëm në Kosovë për të ndihmuar Kosovën në këto procese.