DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti ministren për integrim dhe të bashkëpunimit për zhvillim të Luksemburgut, Marie Josee Jacobs

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministren për integrim dhe të bashkëpunimit për zhvillim të Luksemburgut, zonjën Marie Josee Jacobs. Presidentja Jahjaga dhe zonja Josee Jacobs diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë, për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe për ndihmën që Luksemburgu mund t’i ofrojë Kosovën në proceset integruese.

Presidentja Jahjaga theksoi se Luksemburgu ka dhënë një ndihmë të vazhdueshme për Kosovën dhe theksoi nevojën për bashkëpunim në fushën ekonomike dhe posaçërisht në rritjen e kapaciteteve investuese.   Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është një shtet i ndërtuar në parimin qytetar që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe vend që ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, si parim themelor për anëtarësim në BE.  Ajo tha se përvoja e Luksemburgut në proceset integruese është e rëndësishme dhe mund të shërbejë si shembull për Kosovën. Ministrja e Luksemburgut, zonja Marie Josee Jacobs, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve duhet të thellohet dhe se vendi i saj është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fushat dhe proceset e saj. Ajo tha se pas vizitave që i ka bërë në disa qytete të Kosovës, është bindur për potencialet që ka Republika e Kosovës dhe theksoi zotimin e Qeverise së Luksemburgut për të lobuar jo vetëm politikisht, por edhe për mobilizimin e fondeve për të përkrahur projekte konkrete në Kosovë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.