Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i dërgoi telegram ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Barack Obama, me rastin e vrasjes makabre të të rinjve amerikanë në sallën e kinemasë në qytetin Denver të SHBA-së.
Në telegram thuhet: I nderuari President Obama, Jemi thellësisht të trishtuar nga ngjarja e rëndë që tronditi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku si pasojë e një akti të rëndë kriminal, në një kinema në Denver, mbetën të vrarë dhe të plagosur dhjetëra qytetarë. Në emrin tim, në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura të qytetarëve të pafajshëm. Bashkëndjejmë dhimbjen me Ju, me qytetarët amerikanë dhe familjet e të vdekurve. Ju lutem që familjeve t’ua përcfillni ngushëllimet e thella të mia dhe të popullit tim për këtë dhimbje të madhe. Gjithashtu, lutemi që të plagosurit të shërohen sa më shpejt dhe t’u kthehen familjeve të tyre. Jemi me Ju në këto çaste të rënda pikëllimi. Atifete Jahjaga,Presidente e Republikës së Kosovës