Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Podrimja, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit të tyre, poetit kosovar me përmasa ndërkombëtare, Ali Podrimja.
Në telegram thuhet:
E nderuara familja Podrimja,
E morëm me dhimbje të thellë e trishtim lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, poetit e intelektualit të madh, Ali Podrimja.
Humbja e Ali Podrimjes nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit e miqtë. Është humbje e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për kulturën, për artin, për Kosovën në përgjithësi.
Poeti e intelektuali i madh Ali Podrimja, me fjalët dhe veprat e tij, kaloi shumë herët kufijtë e Kosovës dhe u bë i njohur në rrethe shumë më të gjera të artit dhe të kulturës duke e ofruar Kosovën me botën.
Vepra e madhe e Ali Podrimjes do të jetojë ndër mote, duke ruajtur kujtimin për të dhe duke shërbyer si frymëzim e motivim për brezat e rinj të poetëve dhe intelektualëve të Kosovës.
Jemi me ju në këto çaste të rënda dhembjeje e pikëllimi.
U prehtë në paqe Njeriu i madh i Kosovës, Ali Podrimja.