Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ngushëlloi sot familjen Stavileci me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit.
Në telegram thuhet:
E nderuara familja Stavileci,
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Esat Stavilecit, njeriut të shkencës dhe atdhetarit të madh.
E ndaj me Ju, e nderuara familje dhimbjen për këtë humbje të madhe për ju dhe për të gjithë ne në Kosovë duke e kujtuar me shumë respekt, punën dhe kontributin e çmuar të Akademik Esat Stavilecit.
Akademik Stavileci do të mbahet mend ndër gjenerata për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor në fushën juridike-kushtetuese dhe për kontributin e jashtëzakonshëm për vendin e tij.
Ndarja nga jeta e Akademik Esat Stavilecit, është humbje e madhe jo vetëm për ju e nderuara familje Stavileci, por edhe për gjithë komunitetin shkencor të Kosovës, për miqtë, për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata studiues që patën fatin të punojnë me të dhe të mësojnë nga ai.
Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta.