presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në panelin “Për lideret Gra Botërore”

Samiti i tretë ndërkombëtar “Women in the World” ka zhvilluar punimet në ditën e tretë të tij, fillimisht me panelin me temën “ Për lideret Gra Botërore” , ku mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga. Në panel ishte edhe Jane Harman, ish-kongresiste amerikane dhe drejtoreshë e Qendrës WoodroW Wilson, e cila njoftoi për anëtarësimin e Presidentes Jahjaga në Këshillin e “Women World Leaders” (Gratë Lidere të Botës).

“Kam një njoftim të posaçëm: Presidentja e Kosovës Jahjaga nuk është vetëm liderja më e re në botë, në moshën e saj 36 vjeçare ajo mban këtë post dhe ajo udhëheq me një vend shumë të rëndësishëm në Ballkan, si gruaja e parë, por ajo është gjithashtu anëtarja më e re e Këshillit të “Women World Leaders”, që është një grup i grave lidere të shteteve dhe të qeverive gjithandej botës. Kanë qenë vetëm 53 gra që kanë arritur në këtë nivel drejtues në historinë tonë që nga vitet 1960. 

Presidentja Jahjaga bëhet anëtarja e 47-të e këtij Këshilli dhe unë jam e lumtur që të bëjë këtë njoftim dhe t’ju uroj për lidershipin tuaj zonja Presidente”, tha .Duke e falenderuar zonjën Harman, Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, tha se është e nderuar që të jetë anëtare e një Këshilli shumë prestigjioz i cili ofron mundësinë e ngritjes nga një nivel local në atë ndërkombëtar.  Presidentja Jahjaga tha se çështja gjinore dhe ajo e gruas është çështje globale.

“Çështja gjinore dhe ajo e gruas nuk është më çështje vetëm e një vendi dhe çështje individuale por kjo ka të bëjë më tepër me përpjekjet globale. Kalimi nga niveli lokal në atë global është një detyrë dhe obligim i madh. Kosova është një vend pas konflikti dhe roli i gruas në vendin tim ka qenë i madh dhe konstruktiv. Ashtu sikundër e tha edhe sekretarja Albright – Kosova është një vend ku ka ndodhur gjenocid dhe përdhunim i gruas dhe nuk ka qenë lehtë për të arritur deri këtu.  Trembëdhjetë vjet pas – Kosova vlerësohet të jetë një vend i qëndrueshëm që promovon paqen dhe stabilitetin” tha Presidentja Jahjaga. 

Ajo tha se gruaja në Kosovë ka luajtur një rol të rëndësishëm në proceset në Kosovë.

“Gruaja ka luajtur një rol jetik në të gjitha proceset, edhe gjatë periudhës së luftës por në veçanti në procesin e paqes dhe atë të pajtimit. Unë kam qenë pjesëtare e mekanizmit të sigurisë, kam qenë ndër femrat e para në këtë mekanizëm, kam qenë një nga udhëheqëset e këtij mekanizmi dhe jam rritur në nivelet udhëheqëse të Organizatës së Policisë” tha Presidentja Jahjaga.
Presidentja e Republikës së Kosovës foli edhe për angazhimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe rolit të gruas në këtë proces.

“ Ashtu sikur të gjitha vendet e tjera të botës edhe Kosova përballet me fenomenin global të krimit përtej kufijve. Unë kam marrë udhëheqjen, si Presidente e vendit, për të krijuar një Këshill që është një trup kordinues i institucioneve në Kosovë, me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe në veçanti për të ndryshuar perceptimin, që është njëra anë e këtij fenomeni, por kjo ka të bëjë gjithashtu edhe me çështjen e gruas : A mundet ajo ta bëjë një gjë të tillë, të vihet në ballë të luftës kundër korrupsionit? Unë them po, ne mund ta bëjmë”, tha Presidentja Jahjaga.

Presidentja e Republikës së Kosovës foli edhe për sfidat dhe theksoi doosdoshmërinë e vendosjes së një barazpeshe ndërmjet sfidave globale me ato lokale.Ajo tha se duhe ttë ketë një bashkëpunim më të madh ndërmjet organizatave dhe rrjeteve të grave në nivel local, rajonal dhe ndëkrombëtar. Presidentja Jahjaga tha se gruaja duhet të jetë më shumë e përfshirë në organet drejtuese.

“Ne duhet që të sigurohemi që ka më shumë gra në organet vendimmarrëse dhe në ato legjislative” tha Presidentja Jahjaga, në ditën e tretë të Samitit “Women in the World”.

Gjatë ditës Presidentja Jahjaga ka takuar një numër pjesëmarrësesh të Samitit, përfshirë edhe ambasadoren amerikane për cështjet globale dhe te gruas, Melanne Verveer, dhe aktoren me famë botërore Meril Streep.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.