DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në mbylljen e punimeve të Samitit të tretë “Women in the World”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë në mbylljen e Samitit të tretë ndërkombëtar “Women in the World”, në New York, që përfundoi punimet me fjalën përmbyllëse të sekretares amerikane të shtetit zonjës Hilary Clinton. Zonja Clinton duke përmendur shembuj të grave të suksesshme udhëheqëse në botë, një pjesë ia kushtoi edhe Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga. Sekretarja Clinton në fjalën e saj tha:

“Sapo e takova miken time të mirë, Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga. Ajo është një presidente shumë e re, por jeta e saj është një dëshmi se çfarë mund të bëjnë gratë për paqen dhe sigurinë. Ajo ishte një studente kur lufta në vendin e saj filloi. Ajo pa aq shumë vuajtje dhe deshi që të ndihmonte vendin. Pas përfundimit të studimeve ajo u bë pjesëtare e policisë; punoi ngushtë me forcat  ndërkombëtare për të vendosur paqen. Ajo u ngrit në detyrë dhe u bë udhëheqëse e policisë së re të Kosovës kurse vitin e kaluar u bë gruaja e parë e zgjedhur presidente në gjithë Ballkanin. Ajo ka punuar shumë për ta bashkuar vendin, për të promovuar sundimin e ligjit, pajtimin, stabilitetin rajonal dhe gjithmonë duke punuar për të drejtat dhe mundësitë e grave dhe vajzave”, tha zonja Clinton.Samiti Ndërkombëtar “Women in the World”, që zhvilloi punimet në New York, është i treti me radhë dhe këtë vit ka mbledhur afro 2000 pjesëmarrëse nga e gjithë bota.Në Samit, ku mori pjesë Presidentja Jahjaga, pjesëmarrëse ishin edhe një numër i grave të shquara të politikës, artit, kulturës e kinematografisë, përfshirë sekretaren amerikane të shtetit, Hilary Clinton, drejtoren e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Lagard, ambasadoren amerikane për çështjet globale, Melanne Verveer, aktoret e njohura me famë botërore, Angelina Jolie dhe Meril Streep.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.