Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin me rastin e shënimit të ditëlindjes së Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II, organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Me këtë rast, ajo iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, të cilën po e sjellim në vijim: I nderuari Ambasador, Të nderuar pjesëmarrës, Ditëlindja e Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II, na kujton fuqinë e demokracisë britanike e cila gërsheton vlerat tradicionale me demokracinë bashkëkohore parlamentare. Mesazhin që e merr Republika e Kosovës është që interesat e kombit dhe të vendit janë përmbi të gjitha interesat e tjera dhe se me vullnet të mirë dhe me synim të drejtë arrihen të harmonizohen të gjitha interesat dhe të ruhet e të respektohet nderi dhe krenaria e vendit. Mbretëria e Bashkuar gjithmonë ishte përkrah Kosovës dhe popullit të saj. E paharrueshme mbetet ndihma e madhe gjatë viteve të 90-ta. Shumë e vlerësuar nga populli im është përkrahja që po jep Mbretëria e Bashkuar në konsolidimin e shtetit të Kosovës, funksionimit të institucioneve, nxitjes së proceseve demokratike dhe procesit të njohjeve, si dhe të faktorizimit të vendit tim në arenën ndërkombëtare. Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II, i dëshirojmë dhe i urojmë jetë të gjatë.