DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Gordon

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philip Gordon. Zoti Gordon e përgëzoi Presidenten për zgjedhjen në krye të vendit dhe tha se kjo shënon një hap të madh përpara, si dhe tregon për zhvillimin e një demokracie të vërtetë.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon tha se SHBA-ja është e përkushtuar dhe do të vazhdojë angazhimin e saj në ndihmë Kosovës dhe gjithë rajonit dhe vlerësoi se është me rëndësi që të gjitha vendet e Ballkanit të ecin përpara në rrugën e integrimeve evropiane. Ai tha se synim strategjik i të gjitha vendeve të rajonit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ndihmëssekretari Gordon tha se SHBA do të vazhdojë të punojë së bashku me institucionet e vendit në çështjen e njohjeve të reja për Kosovën. Zoti Gordon vlerësoi zhvillimet pozitive në Kosovë dhe tha se është i nevojshëm përparimi i mëtejmë në forcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik, në fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga tha se roli kryesor i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë vendimtar për Kosovën dhe gjithë rajonin dhe përafrimi i vendeve të rajonit me BE-në kërkon një përfshirje të SHBA-së edhe në të ardhmen.Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe të miqve evropianë, për njohjet e reja dhe për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Ajo tha se Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në, meqë do të qartësohej rruga evropiane e Kosovës, do të krijonte barabarësi me vendet e tjera të rajonit, do të forconte subjektivitetin ndërkombëtar dhe do të rriste besimin e qytetarëve në institucione.Presidentja Jahjaga tha se Kosova duhet të ketë pavarësinë, subjektivitetin dhe sovranitetin e saj të plotë dhe se prania ndërkombëtare dhe misionet në Kosovë duhet të përfundojnë me sukses, që do të shënonte sukses të përbashkët.Ajo tha se prania e BE-së në Kosovë nuk mund të jetë neutrale ndaj statusit, meqë pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se e gjithë puna në vend bëhet mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ajo tha se EULEX-i duhet të ndihmojë në forcimin e rendit dhe të ligjit në Republikën e Kosovës dhe theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është thelbësore.Presidentja Jahjaga tha se suksesi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe vlerësoi se zgjidhjet mund të gjenden nëse respektohen standardet evropiane. Ajo tha se ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve apo riaranzhimi i brendshëm nuk është zgjidhje dhe kurrë nuk do ta përkrahë, meqë luftërat për territore në të kaluarën kanë shkaktuar dhimbje dhe kanë lënë pasoja për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.