DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në manifestimet për shënimin e Ditës së Prishtinës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në aktivitetet e organizuara në kuadër të Ditës së Prishtinës. E shoqëruar nga kryetari i komunës së Prishtinës, z.Isa Mustafa dhe bashkëpunëtorët, ajo fillimisht bëri nderime, duke vënë kurora lulesh para varrit të Presidentit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në Velani, pastaj te varrezat e dëshmorëve në të njëjtën lagje, si dhe para shtatores së heroit të kombit Zahir Pajaziti.

Më pas, Presidentja Jahjaga mori pjesë në akademinë solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës.Duke folur pas nderimeve pranë varrit të Presidentit Rugova, Presidentja Jahjaga çmoi lart angazhimin, politikën dhe vizionin e dr.Rugovës, si ideator i pavarësisë së Republikës së Kosovës.Ajo theksoi se Rugova ishte ideatori i politikës për liri, pavarësi dhe demokraci dhe këto janë bazat edhe të shtetit të pavarur të Kosovës, që e kemi sot.Pas nderimeve para varrezave të dëshmorëve dhe para shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti, Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim në akademinë solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Fjalimin e saj të plotë po e sjellim në vijim:Të nderuar pjesëmarrës,Përvjetori i çlirimit të Prishtinës, kryeqytetit të Republikës së Kosovës, shënon fundin e një epoke të gjatë të përpjekjeve tona për liri, demokraci, pavarësi, që u kurorëzuan suksesshëm pas lëvizjes aktive paqësore që simbolizohet me ideologun dhe arkitektin e platformës së pavarësisë dhe të jetës shumëpartiake  e demokratike, Presidentin Ibrahim Rugova. Kjo ditë, gjithashtu, ndërlidhet me veprën e Adem Jasharit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rezistencën e armatosur për çlirim dhe për shtetformim. Çlirimi i Prishtinës dhe i gjithë Kosovës ndërlidhet me ndihmën e pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian dhe të veprimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve në ish Jugosllavi. Të nderuar pjesëmarrësÇlirimi i  Kosovës dhe shpallja e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, është një vepër madhore e  shumë brezave që vepruan, dhe u sakrifikuan për çështjen kombëtare e cila gjithmonë ishte e lidhur me aspektet e një lëvizje përparimtare, civilizuese të ndërtimit të një shteti të lirë, demokratik të prosperueshëm me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare fetare, racore gjinore e tjetër. Republika e Kosovës është një vend i mundësive të barabarta, është një vend demokratik që synon integrimet euroatlantike, të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s dhe të jetë në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Dëshira e përhershme e popullit tonë ishte vetëm që të jetoj i lirë, të ketë shtetin e vet, dhe të jetë i dinjitetshëm dhe i barabartë me kombet e tjera. Historia në gjithë këtë udhëtim tonin drejtë lirisë ishte e dhimbshme, me përplot vuajtje dhe me sakrifica, por njëkohësisht kjo është histori e lavdishme dhe krenare sepse politika e nënshtrimit asnjëherë nuk sundoi në këto troje, dhe rezistenca në të gjitha format e saja nuk pushoi  asnjë çast duke u shndërruar në një vullnet të pathyeshëm gjithë popullor.E kaluara jonë shërben si kujtesë që të ndërtojmë të ardhmen duke e pasur në mendje se ne jemi një vazhdimësi e atyre veprimtarëve, e atyre intelektualëve, e atyre luftëtarëve e atyre brezave  që me punën e tyre na mundësuan që ne sot të jemi këtu, të ndërtojmë shtetin demokratik të Kosovës, të jemi faktor i respektuar dhe të kemi miq ndërkombëtar. Më lejoni që këtu të përsërisë idenë se në kryeqytetin e vendit duhet të ndërtohet në obelisk, përkatësisht një monument që e simbolizon rrugëtimin e lirisë që simbolizon unitetin e popullit, që simbolizon përkrahjen ndërkombëtare dhe ku ne por edhe delegacionet e huaja do të venim kurora dhe do të bënim nderim në  simbolikën e festave dhe të datave tona të rëndësishme.Zonja dhe zotërinjtëPavarësia e Kosovës është shprehje e vullnetit të popullit, është proces real që ka krijuar paqe dhe stabilitet në rajon. Shteti i Kosovës po bëhet një faktor i rëndësishëm në Ballkan duke zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe duke dhen kontributin në nismat rajonale dhe ndërkombëtare  Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe sa më shpejtë që të arrihet ky synim aq  më shpejtë rajoni do të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare në të cilat do të jep kontributin e vet.Pavarësia e vendit është një proces i pakthyeshëm sepse mbështetet në vullnetin plebishitar të popullit i cili është i përhershëm dhe i panegociueshëm. Forca e këtij argumenti qëndron në unitetin e popullit në dinjitetin dhe në subjektivitetin e partive politike të cilat interesat kombëtare të vendit gjithmonë i vënë mbi interesat e tjera. Kjo është ajo vetia e mbjellë që kombin dhe vendin nuk e lejon të hyjë në krizë, së bashku me dëshirën dhe me vullnetin tonë që të ecim gjithmonë përpara.Kosova po e vazhdon procesin e njohjeve të pavarësisë së saj nga shtetet e tjera  me synimin që të arrij numër të respektuar të njohjeve dhe të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mënyrë që sa më shpejt të bëhet anëtar i OKB-së dhe i BE-së.Zonja dhe ZotërinjMe procesin e decentralizimit ne synojmë që ta bartim pushtetin  në nivel lokal në shërbim të qytetarëve, por gjithashtu edhe të krijojmë komunat e reja si njësi themelore të qeverisjes duke respektuar edhe veçoritë etnike të popullsisë në mënyrë që pavarësinë e Kosovës të gjithë ta ndiejnë  si vepër të veten dhe si kornizë të mjaftueshme  për të ushtruar formën e pushtetit që siguron barazinë e plotë për të gjithë qytetarët në të drejtat dhe obligimet e tyre individuale dhe kolektive.Në këtë fazë të demokracisë dhe të zhvillimit të shtetit Kosova e ka prezencën ndërkombëtare civile dhe ushtarake që është një faktor i rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në stabilitetin e vendit. Ky mision e dha ndihmën e vet të çmueshme për të cilën ne njerëzve që shërbyen këtu dhe vendeve prej nga vijnë iu jemi të falënderues dhe Kosova me kohë do t’i ndërtojë kapacitetet e nevojshme që edhe vet të merr pjesë dhe të jep kontribut në misionet e tilla ndërkombëtare.Të nderuar pjesëmarrësPrishtina është komuna më e madhe e Kosovës, është kryeqyteti i vendit dhe duhet sa më shpejtë të funksionalizohet në këtë drejtim me të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe në këtë e keni përkrahjen time  institucionale. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.