DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Presidentja Jahjaga vizitoi Prekazin, Gllogjanin e Prizrenin

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në ditën e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bëri sot homazhe në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Prekaz, si dhe vizitoi familjen Jashari, ku u prit nga Murat Jashari, pastaj bëri homazhe në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gllogjan dhe vizitoi familjen Haradinaj, ku u prit nga Hilmi Haradinaj, si dhe vizitoi Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në një deklaratë bërë gjatë vizitës në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Prekaz, Presidentja Jahjaga tha se në të gjithë lëvizjen tonë çlirimtare, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrifica e familjes Jashari, sakrifica e të gjithë luftëtarëve të lirisë është bazamenti i ndërtimit të shtetit, të lirisë dhe të njohjes ndërkombëtare të vendit tonë.“Sot në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të bëjmë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz  është një simbolikë që gërsheton përpjekjen tonë shekullore për liri, që është një  kujtim institucional, një respekt e nderim për të gjithë ata burra e gra që punuan për çështjen kombëtare, që e patën ideal dhe synim ndërtimin e shtetit,  që ne të jemi popull i lirë dhe i barabartë me kombet e tjera të Evropës”, tha Presidentja Jahjaga.Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës po ndërtohet si shtet demokratik, si vullnet i popullit të Kosovës me ndihmën e pakursyeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.Nderimi këtu në këtë vend të shenjtë, na jep vullnet, na bën të jemi krenarë dhe na mban me përgjegjësi se idealet e tyre po përjetësohen, se vendi ynë do të jetë një vend i lirë, demokratik, përparimtar, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim, tha ajo.Vepra e Adem Jasharit, sakrifica e familjes Jashari, e bashkëfshatarëve të tyre, e bashkëluftëtarëve të tyre, është frymëzim për të gjithë ne për arritjen e synimeve të vazhdueshme, për integrimet evropiane dhe euroatlantike, me miqësi të përhershme të popullit tonë me SHBA, tha Presidentja Jahjaga. Gjatë nderimit në Kompleksin Memorial në Prekaz, Presidentja Jahjaga u shoqërua edhe nga kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.Në vijim, Presidentja Jahjaga bëri homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gllogjan.Nderimi që ne sot, në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, po u bëjmë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës këtu në Kompleksin Memorial të Rrafshit të Dukagjinit është një nder, një respekt që unë Presidentja e vendit por edhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe të gjithë ne ndiejmë ndaj këtyre që sakrifikuan edhe jetën që Kosova të jetë shtet, që ne të jetojmë të lirë, të punojmë, të shkollohemi dhe të veprojmë për të mirën e popullit dhe për paqen dhe për stabilitetin e të gjitha vendeve të Evropës dhe të botës, tha Presidentja Jahjaga, duke folur gjatë vizitës në Gllogjan.Këtu kujtohemi se rruga që bëmë deri këtu ishte me përplot sakrifica, por edhe ndjehemi krenarë për të gjitha përpjekjet, për të gjitha angazhimet shekullore që u kurorëzuan sot me pavarësinë e Kosovës, një ideal ky i munguar shumë gjatë. Sot, duke qenë këtu, ne marrim frymëzimet dhe angazhimet se do të kapërcejmë të gjitha vështirësitë dhe se do të realizojmë idealin e të gjithë dëshmorëve, idealin e të gjithë veprimtarëve që kishin vetëm një dëshirë, të jetojmë të lirë në trojet tona, vijoi Presidentja Jahjaga.Familja Haradinaj, vëllezërit Haradinaj janë dëshmi e gjallë e forcës së pashtershme të popullit tonë në përpjekjet për liri si dhe në ndërtimin e shtetit demokratik, anëtarë të barabartë të Bashkimit Evropian dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha Presidentja Jahjaga.Pas homazheve, Presidentja Jahjaga vizitoi familjen Haradinaj, ku u prit nga Hilmi Haradinaj, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë dhe të përzemërt.Gjatë vizitës, Presidentja u shoqërua nga kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.Në vijim të aktiviteteve të ditës së sotme, Presidentja Jahjaga vizitoi Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e shoqëruar nga kryetari i kësaj komune, Ramadan Muja, i cili e falënderoi Presidenten për vizitën në këtë ditë të madhe dhe shumë të rëndësishme për Prizrenin dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë.Vënia e një buqete lulesh në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është një gjest simbolik i Presidentes së Kosovës në shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, theksoi Presidentja Jahjaga, duke përkujtuar se në kuadër të kësaj dite të shënuar ajo më herët qëndroi edhe në Prekaz e në Gllogjan, për të bërë lidhjen e idealit për liri dhe për shtet, një ideal që mbetet përherë i gjallë në popull deri në përjetësimin e tij. Më tej, Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur është një projekt i përbashkët i popullit të Kosovës dhe i ndihmës të pakursyer të bashkësisë ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Sot Kosova e ka synim integrimin e plotë në Bashkimin Evropian në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duke mbajtur miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është jetësim i idealeve të gjeneratave të mëparshme në konkretizimin në kushtet e kohës, theksoi ajo.“Populli i Kosovës është pjesë e popujve të civilizuar të Evropës. Ai e ka dëshmuar këtë nivel të civilizimit. Unë gjithmonë e përsëris thënien e rilindësve se për neve dielli lind në Perëndim. Kjo do të thotë që sytë e qytetarëve të Kosovës janë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha Presidentja Jahjaga.Republika e Kosovës është shtet i qytetarëve, ku të gjithë jetojnë së bashku, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare, racore apo gjinore. Kjo është dëshmuar deri tash në rrugën tonë të ndërtimit të një shteti demokratik, në partneritet të plotë me miqtë ndërkombëtarë, tha Presidentja Jahjaga, duke theksuar se Kosova kohëve të fundit është duke u favorizuar dhe duke u bërë subjekt shumë i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.  

This site is registered on wpml.org as a development site.