DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në konferencën ndërkombëtare për gruan, paqen dhe sigurinë në Londër

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori sot pjesë në konferencën për gruan, paqen dhe sigurinë, nën organizimin e Georgetown University dhe që po mbahet në Londër të Britanisë së Madhe.

Ajo mbajti fjalë si paneliste e parë në panelin  “Agjenda e re globale për gruan, paqen dhe sigurinë, së bashku me ambasadoren amerikane Melane Verveer, drejtore ekzekutive e Institutit të Georgetown për gruan, paqen dhe sigurinë, Monica McWilliams, ish komisionere e lartë e Komisionit për të drejtat e njeriut në Irlandën e Veriut, dhe Nancy Pelosi, udhëheqëse e demokratëve në Kongresin e SHBA-së.Duke folur për kontributin e gruas në përfundimin e luftës dhe pas saj në ndërtimin e një Kosove më paqësore, të sigurtë dhe të përparuar, Presidentja Jahjaga dha një pasqyrë të angazhimit të gruas në Kosovë gjatë periudhës së luftës dhe angazhimit të saj për të mbrojtur familjen dhe për ta siguruar ekzistencën e saj. Ajo tha se gratë në Kosovë kanë qenë pjesë e rezistencës së vazhdueshme dhe viktimat më të mëdha gjatë kësaj periudhe të luftës kur mijëra gra u përdhunuan. Por ajo tha se ato kanë arritur që të ndihmojnë mbijetesën e familjeve të tyre dhe me përkushtimin e tyre ato ndihmuan në ndërtimin e një Kosove demokratike. Presidentja Jahjaga theksoi se “gratë janë të përkushtuara për drejtësinë me qëllim të parandalimit të përsëritjes së krimeve; ato kanë dokumentuar krimet e luftës të cilat krijuan bazën për intervenimin ndërkombëtar në Kosovë dhe për ngritjen e padive dhe të dënimeve për krime të udhëheqësve kryesorë të cilët planifikuan gjenocidin”.“Pas luftës gratë në Kosovë u bënë ura bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve që u ndanë nga konflikti. Ato u përfshinë në shërbimin publik, në jetën politike dhe kishin një ndikim të madh në hartimin e politikave të balancuara që iu përshtatën nevojave të secilit komunitet dhe qytetar pavarësisht përkatësisë etnike”, tha Presidentja Jahjaga.Ajo theksoi se pjesëmarrja e gruas në jetën publike nuk është vetëm një e drejtë morale, por kjo është edhe një pjekuri politike dhe ekonomike. Presidentja Jahjaga theksoi se në periudhën e tranzicionit, pjesëmarrja e gruas në parlament përmes kuotës prej 30 për qind është një domosdoshmëri dhe kjo e ndihmon shoqërinë në ndërtimin demokratik të saj.Duke folur për rolin e gruas në ndërtimin e paqes dhe në siguri presidentja Jahjaga theksoi se ai është i rëndësishëm në veçanti në ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të balancuara.“Ndërtimi i paqes arrihet me ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik të vendit dhe qëndrueshmërinë sociale të shoqërisë. Koncepti i sigurisë duhet të shihet përtej prizmit të luftës dhe paqes duke u shikuar si garantim i të drejtave të njeriut të çdo qytetari. Siguria e gruas është siguri e fëmijës, e familjes dhe gjithë shoqërisë”, tha Presidentja Jahjaga.Ajo theksoi gjithashtu se në Samitin Ndërkombëtar të Gruas të mbajtur vitin e kaluar në Prishtinë, nën organizimin e Presidentes, janë adresuar çështje që sot janë sfida globale për gruan, të cilat janë mishëruar në platformën e përbashkët të emëruar si Parimet e Prishtinës. Në këtë dokument, që është miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës, bëhet thirrje për pjesëmarrje më të madhe politike, demokratizim të partive politike, fuqizim ekonomik të gruas dhe adresimin e të drejtës së pronës.Presidentja Jahjaga, e përfundoi paraqitjen e saj duke theksuar se një shoqëri nuk mund të jetë e përparuar dhe e zhvilluar nëse gruaja nuk është plotësisht e barabartë.Ajo gjatë diskutimit në panel u përgjigj edhe në disa pyetje të pjesëmarrësve të konferencës. Presidentja Jahjaga gjithashtu ndoqi edhe punimet e panelit ku folëse kryesore ishte ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeline Albright.Konferenca ndërkombëtare e Georgetown për gruan, paqen e sigurinë që po mbahet në Londër është tradicionale dhe mbledh një numër personalitetesh nga e gjithë bota si dhe trajton çështje të rëndësishme për forcimin e rolit të gruas në shoqëri.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.