presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së atdhetarit Hasan Prishtina në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në ceremoninë e zbulimit të shtatores së atdhetarit Hasan Prishtina në Tiranë.

Fillimisht, Presidentja Jahjaga vuri kurora lulesh pranë varrit të Hasan Prishtinës në Kukës, e shoqëruar nga udhëheqës lokalë dhe nga bashkëpunëtorët e saj. Pastaj, krahas udhëheqjes shtetërore të Shqipërisë, dhe përfaqësuesve të shumtë nga Shqipëria e Kosova, ajo mori pjesë në zbulimin e shtatores së Hasan Prishtinës në kryeqytetin e Shqipërisë. Në vijim po sjellim fjalën që Presidentja Jahjaga mbajti me këtë rast: I nderuar kryeministër i Shqipërisë, dr. Sali Berisha,E nderuara kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli,I nderuar ministër Bumçi,I nderuar kryetar i  Bashkisë  së Tiranës,  zotëri   Lulzim Basha,Të nderuar zyrtarë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës,Të nderuar familjarë të Hasan Prishtinës, Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe të gjitha trevave tona, Sot në njëqind vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, kam nderin dhe krenarinë që si Presidente e Republikës, këtu në Tiranë ta përuroj shtatoren e Hasan  Prishtinës – atdhetarit, ideologut dhe organizatorit të kryengritjeve për lirinë dhe pavarësinë e vendit.  Këtij politikani, diplomati dhe burrështetasi, ministri dhe kryeministri të Shqipërisë.  Të njeriut që e donte arsimin dhe përparimin e popullit, që shkriu pasurinë e tij për shkollat dhe për nxënësit shqiptarë. Të njeriut që gjithë jetën jetoi në përpjekje dhe në veprimtari për ta bërë Shqipërinë dhe shqiptarët shtet dhe popull të lirë të Evropës.  Rrugës për këtu u ndala në Kukës, u përula para varrit të Hasan Prishtinës dhe i solla një kunorë lulesh nga dheu i Kosovës. Të nderuar qytetarë,  Ne po i nderojmë të gjithë veprimtarët që nuk kursyen asgjë nga vetja për ta bërë lirinë dhe pavarësinë e vendit. Kështu vlerësojmë përpjekjet tona shekullore për liri dhe për shtet, kështu ne respektojmë vlerat nëpërmjet të cilave ne sot jemi të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm karshi popujve të tjerë të botës. Populli që kujton, nderon dhe respekton të kaluarën e ka edhe të ardhmen e sigurt.  Hasan Prishtina në gjithë veprimtarinë e vet na dëshmon se ai asnjë ditë nuk pushoi së punuari për atdheun, ai asnjë ditë nuk pushoi së punuari për demokracinë. Ai asnjë ditë nuk pushoi së punuari për arsimimin dhe përparimin e përgjithshëm të popullit, asnjë ditë nuk pushoi së angazhuari që populli dhe atdheu të kenë miq të fuqishëm ndërkombëtarë, para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hasan Prishtina i shkruan Presidentit amerikan Wilson: “…Ju lutemi të shqyrtoni aspiratat e kombit tonë…për të ardhmen e Shqipërisë…Kombi shqiptar, ka bërë aq sakrifica për realizimin e idealit të vet kombëtar dhe ka derdhur aq gjak për këtë qëllim… ”Të nderuar qytetarë, Ne sot jemi të vetëdijshëm se idealet e asnjë brezi atdhetarësh dhe veprimtarësh nuk u realizuan plotësisht sepse ata vepruan në kushtet dhe rrethanat e kohës. Sepse siç shkruante Hasan Prishtina “ne luftojmë dhe ndoshta nuk kemi me e gëzue lirinë, por ata që vijnë mbas neshë kanë me i gjetë shenjat tona”.Atdhetari Hasan Prishtina ishte udhëheqësi i kryengritjeve shqiptare për çlirim kombëtar. Ishte njeriu që e bëri platformën politike dhe programin kombëtar. Ishte ideologu që i bashkoi të gjitha rrymat politike rreth këtij qëllimi sepse, siç thotë ai: “si dje, sot, nesër e përherë, ATDHEU ka qenë dhe asht gjaja ma e shejtë për ne”. Falë gjithë këtij angazhimi, kësaj pune të palodhshme, u bë e mundur që Flamuri i Pavarësisë të ngritet në Vlorë, pasi që më parë pavarësia e Shqipërisë ishte fituar në Kosovë.   Luigj Gurakuqi, që në vitin 1909, do të shkruajë për Hasan Prishtinën: “Rroftë atdhetari i shkëlqyer, ky engjëll i Shqipënies… Dhe një shtatore e shkëlqyeshme, një shtatore e mermertë do të ngrihet për Ju, pasi të kalojnë vitet, që ka me u lexue përpara botës së qytetnueme se një komb i tërë e ndjenë këtë për detyrë”.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.