presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e vjeljes së rrushit “Hardhfest”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë në ceremoninë e festivalit të vjeljes së rrushit “Hardhfest” që u mbajt në Rahovec. Në këtë ceremoni tradicionale, të pranishëm ishin edhe ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zotëri Memli Krasniqi, kryetari i Komunës së Rahovecit, zotëri Idriz Vehapi, kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Rahovecit, zotëri Afrim Sharku si dhe zyrtarë dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Presidentja Jahjaga vizitoi edhe fshatin Krushë e Madhe dhe Kooperativën Bujqësore Krusha, në kuadër të promovimit të produkteve vendore. Në ceremoninë “Hardhfest” Presidentja Jahjaga mbajti një fjalim të cilin po e japim të plotë në vazhdim: Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,I nderuar Ministër Krasniqi,Kryetar i Komunës Vehapi,I nderuar zotëri Sharku,Të nderuar pjesëmarrës,Qytetar të Rahovecit, Kjo është festa më e rëndësishme e stinës, që dëshmon një traditë të lashtë të popullit të Kosovës  për  të  filluar  mbledhjen  e  bereqetit  të  kësaj  toke  kaq  të  vlefshme të shtetit tonë.Prandaj  ndjehem  e nderuar që sot po marr pjesë  në  këtë  festë  jo  vetëm  tuajën,  jo  vetëm  të  komunës  suaj  por  të  gjithë  Kosovës.  Po bëhem kështu pjesë  e  një  tradite  që  i  gëzohet  mirëqenies  për  të  gjithë.Vjelja e rrushit nuk është vetëm një festë e zakonshme  dhe  as  edhe  vetëm  një  shënim  i një  tradite  të  kësaj ane por fillim i një viti të mbarë për familjet tuaja dhe përgjithësisht për shtetin tonë dhe shoqërinë tonë.Për Rahovecin  dhe  rahovecasit  sot  është  një ditë  e  veçantë  kur  përmblidhet  puna  e muajve  të   tërë, dhimbshëm dhe të mundimshëm për ju,  në  përkujdesje të secilës hardhi të rrushit që nxjerrë dhe shpërblen mundin  e  tyre, sepse për secilin prej jush, me vjeljen e rrushit, ditët tuaja marrin kuptim dhe puna juaj vlerësohet.  Do  të  vlerësohet  edhe  për  cilësinë  e  rrushit  por  edhe  për  më  shumë  për  prodhimin e verës, që bazohet në hardhinë  tuaj  të  rrushit. Prandaj  jam  këtu  sot  me  ju, jemi këtu me ju si institucione të vendit  për  të  dëshmuar  se  sa  rëndësi  për  të  gjithë  ne  ka  përkujdesja  për  punën  e  tokës,  për  bujqësinë  dhe  në veçanti  për  vreshtarinë.  Sepse si vend i vogël që  jemi,  me një ekonomi jo shumë të zhvilluar, por me pasuri e resurse natyrore, por edhe me një traditë të gjatë të punimit të tokës ,  ne duhet  të  punojmë  për  të  nxjerrë bukën  tonë nga toka jonë. Sot  nuk  është  koha  për  të  zgjedhur  nëse  duam  ta  bëjmë  Kosovën  vend  të  zhvilluar. Ky është obligim dhe detyrë jona! Prandaj zgjedhjet   që  mund  të  bëjmë  sot  janë zgjedhjet   për  investime  në  bujqësi,  në  një  vend që jeton nga toka e tij, dhe në veçanti në vreshtari, në një vend që siguron jetesën nga ajo. Ne  duhet  të  ndihmojmë  bujqit  tanë, vreshtarët  tanë  dhe  përgjithësisht  njerëzit  që  merren  me  punën  e  tokës,  dhe  t’ua  sigurojmë  kushtet e nevojshme.  Ne  duhet  të  garantojmë  për prodhimet e tyre, sepse kjo siguron jo vetëm mbijetesën e qytetarëve tanë që jetojnë e punojnë me djersën e tyre. Dhe ne duhet, përmbi  të  gjitha,  të  krijojmë  kushte themelore  për  të  ruajtur  praninë  më  të  madhe   në   fshatra, për ta punuar tokën tonë dhe njëkohësisht  për të siguruar dhe  garantuar  mirëqenien jo vetëm të familjeve tona, por të gjithë vendit tonë. Kosova ka pasuri të mëdha natyrore dhe ajo mund të shndërrohet në një forcë rajonale në fushën e bujqësisë. Toka e saj mund të shndërrohet në prodhuesen më të madhe në rajon  të  prodhimeve  të  ndryshme  bujqësore dhe  ne  duhet  ta  garantojmë  këtë  për  aq  sa duhet  të  sigurojmë  cilësinë  e  produkteve  tona  duke  trasuar  rrugën  e  pranisë  së  tyre  jo vëtën në tregjet rajonale, por edhe në tregjet botërore. Prandaj na duhen investime më të mëdha në këtë fushë të bujqësisë dhe kjo do të sigurojë edhe hapjen e vendeve të punës dhe ndërkohë edhe nxjerrjen e produkteve tona në tregun jo vetëm rajonal por edhe më gjërë.Institucionet e vendit janë këtu për t’ju mbështetur juve dhe të gjithë bujqit e Kosovës, që ta kthejmë vendin në një prodhues të fortë,  që përkujdeset për tokën e saj, që do të sigurojë jo vetëm bukën e motit  për vete, por edhe që do të garantojë cilësinë, të dal nga konkurrenca, për të hapur rrugën e prezantimit në çdo vend dhe çdo kund. Të nderuar qytetar të Rahovecit, Kjo është festë e juaja e njëkohësisht edhe festë e gjithë Kosovës. Përmes saj ne hapim horizontin e bashkëpunimit edhe me vendet e rajonit të Evropës Juglindore, që duhet të ndërtojnë lidhje të forta të marrëdhënieve sepse ekonomitë e tyre janë të ndërvarura mes vete. Përmes saj ne zgjerojmë mundësi të reja edhe në rajon dhe ndërtojmë ura të bashkëpunimit bazuar në cilësi, në vlera, në konkurrencë të shëndoshë dhe në partneritet që hap mundësinë edhe të pranisë së përbashkët në tregje të treta ku aty edhe ne synojmë.    Sot është festa edhe e rrushit por edhe njëkohësisht e verës. Kësaj vere të Rahovecit që  prezanton  me  dinjitet  Kosovën  në  botë. Dhe  sot  është  më  shumë  se  festë  në  Rahovec  prandaj  le  të  festojmë  së  bashku  e  t’i gëzohemi të mirave të tokës së bekuar, të shtetit tonë. Faleminderit dhe urime dhe ta përfundojmë më slogan, “Ta cakërrojmë me dashuri”.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.