Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në koncertin kushtuar humanistes së madhe Nënë Tereza, i cili u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, zotëri Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë, zotëri Musa Xhaferi, veprimtari i njohur Adem Demaçi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe shumë personalitete tjera të jetës politike, kulturore e fetare. Në këtë koncert u performuan vepra muzikore të kompozitorëve të njohur si dhe aktorë të shquar recituan vargje kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë. Në përmbyllje të këtij koncerti, u interpretua Himni kushtuar Nënës Terezë, nga Inva Mula.





