Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka marrë sot vendim që Enver Zymberi, polic i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, i vrarë në krye të detyrës, të dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”, me motivacion “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Vendimi u mor në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores për Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, që i jep Presidentja e Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre, nenet 3 dhe 5. Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të huaj, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Varrimi i policit Enver Zymberi do të bëhet me të gjitha ceremonitë dhe nderimet që janë të parapara për Heroin e Kosovës. Presidentja Jahjaga medaljen do t’ia dorëzojë familjes Zymberi në një ceremoni të veçantë.