Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga bëri sot homazhe para trupave të 27 personave të zhdukur gjata luftës në Suharekë, të cilët u rivarrosën sot, pas identifikimit, Gjithashtu, Presidentja Jahjaga ishte edhe në fshatin Krushë e Vogël, ku bëri homazhe para trupave të 19 të zhdukurve të këtij fshati.
Në një deklaratë bërë pas ceremonisë së homazheve në Suharekë, Presidentja Jahjaga theksoi: Varrosja e familjarëve, të cilët pamëshirshëm u masakruan nga forcat ushtarake, paramilitare të okupimit serb, është një rast i rëndë, është një rast i vështirë, është një rast i dhembshëm. Por, përkundër asaj që është një rast i rëndë, një rast i dhembshëm, gjithsesi është një ngushëllim për familjarët dhe për të gjithë ata që humbën më të dashurit e tyre, që tash e tutje kanë një vend ku këta martirë të lirisë së Kosovës do të prehen përjetësisht. Ne me pietet kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre burrave dhe grave, që ne sot të jemi një popull i lirë, të jemi një popull i dinjitetshëm, të jemi një popull sikur të gjithë popujt e tjerë të botës, me një të ardhme të sigurt drejt integrimeve euroatlantike dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këta martirë të lirisë janë dëshmia më e mirë që ne jemi sot një popull i lirë, një popull sovran dhe një popull i pavarur, duke realizuar edhe idealin e gjeneratave të tëra.