presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes Atifete Jahjaga me rastin e 15-vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka bërë një deklaratë me rastin e 15-vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s.

Në deklaratë thuhet: Sot shënojmë përvjetorin më të rëndësishëm në historinë e re të Kosovës – fillimin e një fushate shpresëdhënëse për popullin e Kosovës, që çoi në përfundimin e shtypjes dhe represionit. Po shënojmë 15 vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe, një intervenimi thellësisht humanitar, që shpëtoi qindra mijëra jetë të qytetarëve të Kosovës dhe që ofroi mundësinë e re për një jetë të lirë, në një shoqëri demokratike e të zhvilluar. Në këtë 15 vjetor, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së, për Aleancën e NATO-s, që parandaluan spastrimin etnik të Kosovës dhe që përmes sulmeve ajrore në mbrojtje të popullit të Kosovës i dhanë fund një regjimi shtypës, për të mundësuar një jetë të re. Në këtë pesëmbëdhjetë vjetor falënderojmë të gjithë ato gra e burra të të gjitha atyre vendeve që u angazhuan në parandalimin e një katastrofe humanitare në Kosovë dhe që më pas, me përfundimin e fushatës ajrore 78 ditëshe, ndihmuan në rindërtimin e Kosovës dhe në ruajtjen e paqes e të stabilitetit dhe të sigurisë jo vetëm në vend, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pesëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, shtet i të gjithë qytetarëve të tij, pa dallim, shtet që po ndërton ura miqësie me të gjithë dhe një shtet që po kontribuon në paqen dhe sigurinë e përgjithshme. Në këtë 15 vjetor, kur shënohet rikthimi i shpresës për jetë, Republika e Kosovës tregon se është dëshmi e një suksesi të përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve të saj dhe i bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash SHBA-së. Është dëshmi e një shoqërie të pjekur e demokratike, gjithëpërfshirëse dhe tolerante.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.