Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Kooperativën Bujqësore, në Krushë, e cila udhëhiqet nga Fahrije Hoti dhe gratë e Krushës.
“Ato janë sinonimi më i përkryer i fuqizimit ekonomik të gruas dhe dëshmi e asaj se si kjo qëndron në bazamentet e zhvillimit dhe progresit të përqendruar në gjithpërfshirje”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Sot isha në Krushë tek Kooperativa Bujqësore e udhëhequr nga heorina Fahrije Hoti dhe gratë e Krushës për ta shënuar Ditën e Gruas me gratë simbol të qëndresës, rezistencës e triumfit.
Ato janë sinonimi më i përkryer i fuqizimit ekonomik të gruas dhe dëshmi e asaj se si kjo qëndron në bazamentet e zhvillimit dhe progresit të përqendruar në gjithpërfshirje.
Fahrija dhe gratë e Krushës nuk lejuan kurrë të shihen si çkado tjetër përveç se si forcë shtyese dhe motor transformues në komunitetin e tyre dhe shoqërinë tonë.
Qoftë shembulli i tyre modeli më i mirë i frymëzimit për vajzat dhe gratë tona sot e mot!