Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas humbjes së jetës së dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve në Pejë.
“Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike”, ka thënë Presidentja Osmani
Presidentja ka potencuar se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Tutje, Presidentja tha se në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike.
Presidentja Osmani ka biseduar me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili e ka informuar mbi gjendjen e tanishme në terren si dhe pasojat nga vërshimet. Presidentja i ka shprehur ngushëllime z. Muhaxheri si dhe gatishmërinë për të ofruar të gjithë përkrahjen e mundshme për të tejkaluar këtë situatë.