Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë.
Ajo bisedoi me udhëheqjen e këtij institucioni dhe u njoftua me gjendjen e përgjithshme, punën dhe problemet me të cilat përballet ky institucion. Me këtë rast, Presidentja Jahjaga u shpërndau fëmijëve të këtij institucioni dhurata me rastin e festës së Vitit të Ri. Në këtë natë të kremtimit të Vitit të Ri erdha t’i vizitoj këta fëmijë, që janë të strehuar në këtë qendër, duke pasur përkujdesjen e të gjithë neve dhe mbarë shoqërisë tonë, qe në dashuri me njëri-tjetrin përgatiten për jetën, për të qenë kontribuues të rëndësishëm të zhvillimit të shoqërisë sonë, u shpreh Presidentja Jahjaga gjatë kësaj vizite. Siç është bërë zakon dhe traditë ndamë nga një dhuratë simbolike për të shënuar këtë ditë me dëshirat që vitin e ardhshëm ta kalojmë në mirëkuptim, në solidaritet, në begati, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për këta fëmijë dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, tha Presidentja Jahjaga. Në kuadër të kujdesit të vazhdueshëm dhe ndihmës për këtë institucion, Presidentja Jahjaga javën e kaluar e ka ndihmuar SOS Fshatin e Kosovës me 3 mijë euro nga buxheti i Zyrës së Presidentes.