Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga kryeministri Isa Mustafa, me rastin e festës së Krishtlindjes Ortodokse, vizituan sot Manastirin e Deçanit.
Ata u pritën nga udhëheqësi i këtij manastiri, Ati Sava Janjiq, të cilin, sikur edhe të gjithë besimtarët e tjerë ortodoksë, i uruan me rastin e Krishtlindjes. Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa vizituan fillimisht manastirin, ndërsa më pas zhvilluan një takim me atin Sava Janjiq, me të cilin diskutuan për një varg temash me rëndësi. “Erdhëm këtu për të përcjellë urimet tona për të gjithë qytetarët me rastin e Krishtlindjes ortodokse. Uroj që këtë festë ta festojnë me të gjithë të dashurit e tyre, miqtë e tyre, në paqe, me solidaritet dhe ndihmë ndaj njëri-tjetrit”, tha Presidentja Jahjaga në një deklaratë bërë pas takimit. Presidentja Jahjaga theksoi se Krishtlindjet janë një ditë e veçantë, që përçon mesazhin e paqes, të harmonisë dhe të solidaritetit dhe të besimit te njëri-tjetri dhe shtoi se z.Sava e ka uruar në emër të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, për këtë festë të madhe të besimit ortodoks.