Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e ka uruar Presidentin Bujar Nishani, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë.
Në urim thuhet: Shkëlqesia Juaj President Nishani, Kam nderin e veçantë t’ju shpreh urimet më të përzemërta, të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë Tuaj dhe popullit shqiptar. Në këtë ditë të kremtimeve, Ju përcjell përgëzimet për përparimin e vazhdueshëm që Shqipëria po bën drejt ofrimit të mundësive të mëdha për qytetarët e saj dhe përkushtimin e treguar në forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë me të gjitha vendet fqinje, që ndihmon paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Jam e bindur që nën udhëheqjen Tuaj, institucionet e vendit dhe qytetarët e Shqipërisë, do të vazhdojnë përparimin me hapa të shpejtë në rrugën e integrimeve evropiane. Në këtë rrugë të përbashkët tonën, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve është themeli i prosperitetit të vendeve tona, si dhe i të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Mbetem e përkushtuar që të forcojmë marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi ndërmjet dy vendeve tona, në të mirë të së ardhmes së qytetarëve tanë. Duke Ju uruar dhe një herë për Ditën e Pavarësisë, Ju shpreh konsideratat e mia më të larta. Sinqerisht, Atifete Jahjaga,Presidente e Republikës së Kosovës