Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i dërgoi një telegram urimi kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama, me rastin e zgjedhjes kryeministër dhe votimit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në telegram thuhet:
I nderuari kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama, në emër të popullit të Kosovës dhe në emrin tim, pranoni urimet më të përzemërta për zgjedhjen tuaj kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe për votëbesimin e marrë të kabinetit tuaj qeverisës nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
I nderuari zotëri kryeministër, zgjedhja juaj, që vjen si shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve nëpërmjet një procesi të drejtë dhe të ndershëm elektoral, e dëshmon përkushtimin e të gjithë qytetarëve për një të ardhme më të mirë dhe shkallën e lartë të demokracisë që shënon sukses në avancimin e proceseve të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së. Kjo tregon edhe pjekurinë politikë të të gjithë faktorit politik në këtë proces demokratik.
I nderuari kryeministër Rama, ju shpreh përkushtimin e institucioneve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës për një bashkëpunim të mirë dhe të gjithanshëm ndërmjet të dyja vendeve tona, që është në interes të përparimit të popullit dhe që i kontribuon fuqishëm ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe mirëkuptimit e respektimit të ndërsjellë në rajon dhe më gjerë.
E ardhmja e vendeve tona dhe e gjithë Evropës Juglindore është në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Shpreh besimin e plotë që angazhimi dhe përkushtimi i Qeverisë Suaj do të shtyjë përpara proceset demokratike dhe reformat e nevojshme për ta bërë Shqipërinë vend të mundësive të mëdha për qytetarët e saj.
Duke Ju uruar edhe një herë Juve dhe të gjithë shqiptarëve dhe duke ju dëshiruar sukses, e shpreh besimin se bashkëpunimi ynë do të jetë shembull i mirë për të gjitha vendet e rajonit si plotësim i standardeve në rrugën tonë të përbashkët të integrimeve evropiane.