presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me zëvendëspresidentin e SHBA-së, z. Joseph Biden

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot në Munih me zëvendëspresidentin e SHBA-së, z. Joseph Biden.

Presidentja Jahjaga, duke e shprehur kënaqësinë për këtë takim, tha se e falënderon zëvendëspresidentin dhe SHBA-të për angazhimin dhe për ndihmën që i kanë dhënë dhe po i japin konsolidimit të shtetit dhe të shoqërisë kosovare. Ne jemi përjetësisht të falënderueshëm që duke na ndihmuar na keni dhënë shansin të jetojmë në liri, ndërsa tash e çmojmë lart mbështetjen që po na jepni në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.  Republika e Kosovës ka bërë progres të konsiderueshëm në këtë rrugë dhe tash jemi duke treguar vullnetin e mirë për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë. Ne jemi të përkushtuar në këtë proces duke qenë thellësisht të bindur se animozitetet e së kaluarës të mos ia lëmë barrë gjeneratave të ardhshme. Presidentja Jahjaga theksoi se ka shprehur gatishmërinë që si Presidente e Republikës së Kosovës të takohet me Presidentin e Republikës së Serbisë, për t’i dhënë përkrahje dialogut ndërmjet dy qeverive, në mënyrë që të normalizohen plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve të pavaruar dhe sovrane.  Zëvendëspresidenti i SHBA-ve Joseph Biden i shprehu Presidentes Jahjaga përkrahjen e plotë në agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, si dhe në dialogun që Kosova po e bën me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve duke e cilësuar si kontribut takimin ndërmjet Presidentes Jahjaga dhe Presidentit Nikolic.  Zëvendëspresidenti Biden theksoi se SHBA-të do t’i japin përkrahje të fuqishme Republikës së Kosovës në të gjitha proceset demokratike. Z.Biden e ka përkrahur Kosovën në forcimin e shtetit dhe ka thënë se pavarësia është proces i kryer dhe se Kosova sovranitetin dhe integritetin territorial i ka të garantuar.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.