Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot, në kuadër të Samitit Global të Gruas, që po mbahet në Kuala Lumpur të Malajzisë, me zëvendëspresidenten e Vietnamit, Nguyen Thi Doan.
Presidentja Jahjaga dhe zëvendëspresidentja Doan biseduan për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, për procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, si dhe për njohjen e saj nga Vietnami.Presidentja Jahjaga e njoftoi zëvendëspresidenten Doan për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe theksoi se njohja nga Vietnami do të ndihmonte konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe do ta nxiste bashkëpunimin mes dy vendeve. Ajo tha se Kosova po luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe është një promotor i fqinjësisë së mirë.Zëvendëspresidentja e Vietnamit, Nguyen Thi Doan, theksoi se vendi i saj po ndjek nga afër zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht në Kosovë, si dhe proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Zëvendëspresidentja Doan tha se Vietnami është i interesuar për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit dhe se është i interesuar që të shohë përparimin e mëtejmë të Kosovës. Ajo theksoi se vendi i saj po e vlerëson dhe po e shqyrton edhe çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.