Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot në New York me sekretarin e shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart vizitën e Papa Francesku në Shqipëri dhe porositë e tij për paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve. Ajo tha se kjo vizitë është një simbolikë e rëndësishme edhe për të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore dhe për raportet fqinjësore të tyre.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova, që prej shpalljes së pavarësisë së saj më 2008, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe të stabilitetit si dhe promovuese e fqinjësise së mirë. Ajo tha se Kosova është e ndërtuar mbi parimin qytetar dhe vlera më e madhe e saj është toleranca fetare e kultivuar ndër shekuj.
Presidentja Jahjaga tha se trashëgimia kulturore e fetare e Kosovës është pasuri e madhe e vendit nën përkujdesjen e institucioneve dhe të vetë qytetarëve të Kosovës.
Duke vlerësuar procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot është e pranuar nga 108 vende të botës dhe se pranimi nga Vatikani do të kishte një rëndësi të veçantë.
Sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin u interesua për zhvillimet aktuale në Kosovë, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe gjithë rajonit. Ai tha se Selia e Shenjtë po i përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovë dhe përparimet në raportet në rajonin e Ballkanit.