presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, po qëndron në vizitë shtetërore në Republikën e Austrisë, me ftesë të Presidentit të Austrisë, dr. Heinz Fischer. Ajo u prit me ceremonitë më të larta shtetërore dhe sot pati takime me Presidentin Fischer dhe me kryetaren e Parlamentit të Republikës së Austrisë, Barbara Prammer.

Gjatë takimeve u bisedua për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, për zhvillimet në rajon, si dhe theks i veçantë iu kushtua agjendës së integrimeve evropiane për Republikën e Kosovës.Zyrtarët e Republikës së Austrisë i dhanë mbështetje të plotë Republikës së Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe gjithashtu përshëndetën marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke e parë këtë si të vetmen rrugë për gjetjen e zgjidhjeve për të gjitha çështjet.Presidenti Fischer për nder të Presidentes Jahjaga dhe delegacionit të saj organizoi një drekë pune.Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Austri mbajti një konferencë për media, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes së Austrisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar  të Kosovës, për avancimin e proceseve demokratike në vend si dhe politikave për sundimin e rendit dhe të ligjit.Në vijim deklarata e Presidentes Jahjaga në konferencën për media:Me ftesë të Presidentit të nderuar të Republikës së Austrisë, z.Heinz Fischer, pata një vizitë zyrtare dhe shumë miqësore, unë e konsideroj edhe shumë të frytshme këtu.Me Presidentin Fischer patëm një bisedë shumë të mirë, duke i shqyrtuar çështjet e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, për përparimin e tyre të mëtejshëm ekonomik, kulturor dhe në të gjitha fushat e tjera.Ne gjithashtu këmbyem pikëpamjet tona për marrëdhëniet ndërkombëtare, me theks të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kryeministrave Thaçi dhe Daciq, për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve që çojnë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Me Presidentin Fischer biseduam posaçërisht forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe për rrugën dhe procesin konkret të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.Theksuam se është shumë i nevojshëm anëtarësimi i Kosovës në të gjitha forumet, nismat dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, se vetëm kështu vendi ynë mund të japë kontributin e pritur në avancimin e të gjitha proceseve rajonale dhe globale.E falënderova Presidentin Fischer për ndihmën e vazhdueshme që personalisht dhe shteti i Austrisë i kanë dhënë vendit tim gjatë gjithë kohës dhe e shpreha përkushtimin tim që Republika e Kosovës tashmë është një realitet i pranuar, është një faktor paqeje dhe stabiliteti, është një vend demokratik i ndërtuar në parimin qytetar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat e të gjithë njerëzve dhe në të cilin të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësin etnike fetare dhe pa marrë parasysh numrin e tyre, janë plotësisht të barabartë dhe i realizojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e tyre konform ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.E sigurova Presidentin Fischer se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në zhvillimin e proceseve demokratike në stabilitetin ekonomik dhe politik dhe se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, ashtu si edhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, është e vetmja alternativë. Në këtë rrugë të gjitha vendet i përmbushin detyrat e shtëpisë vetëm duke zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duke i ndihmuar njëra-tjetrës.Ne theksuam se anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian është një sukses i popullit dhe i shtetit kroat por edhe një sukses i politikës së zgjerimit të BE dhe kjo është një nxitje për të gjitha vendet e rajonit  që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.Edhe një herë i shpreh falënderimet e përzemërta për ftesën për të vizituar këtë vend mik dhe unë gjithashtu e ftova  Presidentin Fischer që në një të ardhme të afërt ta vizitojë Republikën e Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.