presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga takoi përfaqësuesit e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi në Nju Jork përfaqësuesit e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje (GCERF), zonjën Carol Bellamy, udhëheqëse e Bordit dhe zotëri Khalid Koser, drejtor ekzekutiv i fondit, me të cilët diskutoi përfshirjen e Kosovës në nismat e kësaj organizate për të çrrënjosur ekstremizmin dhe parandaluar radikalizimin.

Presidentja Jahjaga u shpreh e kënaqur me vendimin e Fondit Global që në dhjetor të këtij viti të formalizojë përfshirjen e Kosovës si njërin nga pesë shtetet që do të përfitojnë nga fondi prej 25 milionë eurove për nisma dhe projekte që për qëllim kanë parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
 
Presidentja theksoi se është lajm i mirë që Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara për t’u bërë një nga pesë shtetet në botë që përfitojnë nga nismat e fondit në këtë fazë dhe mirëpret vizitën e përfaqësuesve të kësaj organizate shumë shpejt në Kosovë.
 
Ky takim është në vazhdën e takimeve që Presidentja Jahjaga ka pasur me përfaqësuesit e kësaj organizate këtë vit në Gjenevë. Zyra e Presidentes ka komunikuar vazhdimisht me GCERF për përfshirjen e Kosovës në sfondin e saj.
 
Fondi Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes ka selinë në Gjenevë dhe është themeluar si përpjekje globale përmes partneritetit publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.