DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga takoi Ndihmëssekretarin amerikan për çështjet evropiane, z.Philip Gordon

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga zhvilloi sot një takim me Ndihmëssekretarin amerikan për çështjet evropiane, z.Philip Gordon.

Presidentja Jahjaga dhe z.Gordon, në takimin miqësor, diskutuan për një varg çështjesh me rëndësi për forcimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, si dhe për zhvillimet në vendin tonë dhe në rajon. Presidentja Jahjaga shprehu kënaqësinë që Republika e Kosovës i ka përmbushur kushtet që të përmbyllë pavarësinë e mbikëqyrur dhe që t’i marrë përgjegjësitë e plota si shtet sovran dhe i pavarur. Ajo gjithashtu theksoi angazhimin e institucioneve të Kosovës rreth gjendjes në tri komunat në veri të vendit. Ajo përsëriti se nuk ka ndarje e as status të veçantë dhe se zgjidhja e vetme për integrimin e komunitetit serb në këto komuna është zbatimi i plotë i Pakos së Presidentit Ahtisaari. Presidentja Jahjaga vlerësoi rolin që ka pasur misioni evropian për sundimin e ligjit – EULEX që vepron në Republikën e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Ky mision duhet të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë për të ndihmuar institucionet e vendit, ato të gjyqësisë, të prokurorisë dhe të policisë në punën e tyre. Në ditët në vijim ne do të gjejmë mundësinë e vazhdimin të mandatit të misionit të EULEX-it, duke ofruar një zgjidhje të përshtatshme që është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që është e dhe e pranueshme për Bashkimin Evropian, tha Presidentja Jahjaga. Ndihmëssekretari i shtetit, Gordon theksoi rëndësinë e vendimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe e cilësoi këtë si një votë besimi të komunitetit ndërkombëtar për progresin e arritur në Kosovë në konsolidimin e shtetësisë. Ai më tej tha se SHBA-të do të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. Z.Gordon ritheksoi qëndrimin e SHBA-ve që Serbia duhet të pranojë realitetin e ri dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën si një parakusht për avancimin e agjendës së saj evropiane. Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe z.Gordon bënë nga një deklaratë për media, të cilat po i sjellim në vijim: Presidentja Atifete Jahjaga: Takimi me Ndihmëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Gordon, ishte si zakonisht takim shumë miqësor dhe shumë i frytshëm. Zotëri Gordon i përcolli mesazhet e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe përkrahjen për rrugën e Kosovës në forcimin e proceseve demokratike dhe të integrimeve euroatlantike. I përcolla përshëndetjet e mia për Sekretaren e Shtetit Znj. Hilary Clinton dhe për Presidentin e SHBA-së, zotëri Obama, duke shprehur falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së për Republikën e Kosovës. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, që ka integritetin territorial dhe sovranitetin e garantuar. Është faktor paqeje dhe stabiliteti dhe zhvillon marrëdhënie të mira, madje shembullore, me të gjithë fqinjët. Dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Republikën e Serbisë, duke pranuar realitetin dhe duke kontribuar në rrugën tonë drejtë integrimit në Bashkimin Evropian. Njoftova Z. Gordon se i japim mbështetje të plotë dialogut që u zhvillua në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve në të dy anët e kufirit. Marrëveshjet e arritura ndihmojnë proceset e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona dhe unë jam e interesuar që të kemi rezultate dhe që marrëveshjet të zbatohen në tërësi në mënyrë që të mundemi të vazhdojmë me dialogun e mëtejmë deri në rregullimin e të gjitha çështjeve duke ofruar zgjidhjet dhe standardet evropiane. E shprehëm kënaqësinë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që në muajin shtator të këtij viti të përmbyllë pavarësinë e mbikëqyrur dhe që shteti ynë t’i marrë të gjitha përgjegjësitë në planin e brendshëm dhe të jashtëm, si shtet sovran dhe i pavarur. E informova z.Gordon për punën e dy këshillave të formuara nga ana ime, Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian e veçanërisht Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, si një trup koordinues, me qëllim që të gjejmë zgjidhje institucionale dhe të kemi rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. E ardhmja e Republikës së Kosovës është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, kjo është dëshira jonë edhe për të gjitha vendet e rajonit. E njoftova zotëri Gordon për aktivitetet e institucioneve të Republikës së Kosovës, për gjendjen në tri komunat e veriut të Kosovës, duke pasur pajtueshmëri të plotë se nuk ka ndarje e as status të veçantë. Zgjidhja e vetme është tek zbatimi i plotë i pakos së Ahtisaarit, që ka dhënë rezultate shumë të mira në komunat e tjera, që u krijuan me procesin e decentralizimit. Edhe një herë e falënderoj ndihmës sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotëri Philip Gordon, për përkushtimin e tij të vazhdueshëm për çështjen e Kosovës, për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin ndërmjet të gjitha vendeve të Ballkanit dhe për angazhimin që të gjitha shtetet e rajonit të bëhen vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Të nderuar gazetarë dhe të nderuar qytetarë të Kosovës edhe një herë e shpreh indinjatën time të thellë për vrasjen makabre që ndodhi në fshatin Talinovc të komunës së Ferizajt. Ky akt kriminal tenton ta ndalë procesin e kthimit për të cilin unë si Presidente e vendit dhe të gjitha institucionet e Kosovës jemi të përkushtuar që të ketë sukses, sepse ky është një parim themelor i qytetarëve.  Ndihmëssekretari Philip Gordon: Faleminderit Presidente Jahjaga për një mirëseardhje kaq të ngrohtë. Kam kënaqësinë që jam përsëri në Prishtinë për t’u takuar me ju. Më duket që është hera ime e pestë që e kam vizituar Kosovën në tri vitet e fundit prej se jam ndihmëssekretar. Kjo vizitë po realizohet në një moment mjaft emocionues kur komuniteti ndërkombëtar ka arritur marrëveshje për ta përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Kisha rastin ta uroj Presidenten, dhe tani uroj popullin e Kosovës për këtë hap të rëndësishëm përpara. Ashtu siç i thashë Presidentes, ky është vërtet një konfirmim i besimit në këtë shtet dhe sinjal se komuniteti ndërkombëtar vërtet beson se Kosova ka bërë progres të madh në planin ndërkombëtar që nga pavarësimi juaj. Unë po ashtu ia përcolla Presidentes përshëndetjet e Sekretares Clinton dhe të Presidentit Obama, të cilët admirojnë lidershipin e saj dhe progresin që ka shënuar Kosova. Kemi folur pak për zhvillimin rajonal, siç e dini të gjithë ju, së pari sapo kam arritur pak ditë pas samitit në Dubrovnik, Kroaci, ku ishte një mundësi e mirë të shoh një numër të konsiderueshëm të liderëve nga rajoni, dhe ishte shumë mirë të shoh Kosovën me përfaqësim të plotë përmes Kryeministrit, po ashtu duke marrë pjesë në diskutime të rëndësishme. Po ashtu, sapo kam arritur nga Beogradi  ku kam pasur rastin të takohem me të sapozgjedhurin Presidentin Nikolic dhe liderë të tjerë dhe kam pasur rastin të përcjell mesazhin në Beograd të cilin e përsërita edhe këtu, që është se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë fuqishëm ta përkrahin sovranitetin e Kosovës dhe pavarësinë territoriale të saj dhe ne besojmë se kur të formohet qeveria e re në Beograd, duhet t’i zbatojë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, dhe të vazhdojë me dialog në çfarëdo forme që është e nevojshme për të arritur marrëveshjet praktike që do të përmirësonte jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit që është ajo në çka duhet të fokusohemi në javët, muajt dhe vitet e ardhshme. Po e përsëris, që ne fuqishëm përkrahim aspiratat e Kosovës për BE, ashtu siç përkrahim aspiratat e Serbisë për BE. Ne shpresojmë që Serbia t’i qëndrojë kursit të BE-së për anëtarësim, dhe mendoj që kolegët tanë evropianë e kanë bërë të qartë se kërkohen marrëdhënie të normalizuara me Kosovën. E kam përsëritur në Beograd dhe po e përsëris edhe këtu, që Serbia në fund të fundit duhet ta pranojë realitetin e Kosovës si vend demokratik dhe sovran dhe ne do të bëjmë çka do që mundemi për t’i përkrahur këto marrëdhënie në mes këtyre dy shteteve. Isha i inkurajuar kur dëgjova nga Presidentja ashtu siç dëgjova nga kryeministri në Dubrovnik për planet e Prishtinës për të ngritur përkujdesjen për komunitetin që jeton në veri të Kosovës – është një komponentë kryesore për t’i siguruar të gjithë qytetarët e këtij vendi se vendi i tyre është këtu dhe se janë të sigurt. Kuptova që Zyra administrative në veriun e Mitrovicës do të hapet shpejt dhe besoj se është një hap pozitiv përpara dhe mendoj se do të shihet si sinjal i dëshirë së qeverisë për përkujdesje dhe ofrim shërbimesh  për të gjithë qytetarët e vendit.Ashtu siç tha Presidentja, dua të them edhe unë se ne dënojmë veprimet e atyre që duan të pengojnë këtë përkujdesje të ndërsjellë dhe dëshirën që ne besojmë se e kanë shumica e qytetarëve serbë, shqiptarë dhe të tjerë për të jetuar në paqe dhe të sigurt. Ne dënojmë vrasjen tragjike të çiftit që është kthyer në Kosovë dhe presim të shohim se po bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur përgjegjësit dhe ata të përballen me drejtësinë. Unë po ashtu e përgëzova Presidenten për përpjekjet e saj për të avancuar në synimet tona të përbashkëta që përfshin luftën kundër korrupsionit, që është një mesazh që ne përcjellim për të gjitha vendet e rajonit dhe për institucionet e pandërruara. Këto janë përpjekje të rëndësishme dhe ne përshëndesim punën që keni bërë në këtë drejtim. Në fund, dua të them se ne sigurisht që kemi përcjellë vendimet që ka marrë Gjykata Kushtetuese në javët e fundit. Është diçka që na intereson shumë dhe komenti im i vetëm për të është ai që ka bërë Presidentja se vendimi i Gjykatës duhet respektuar. Ne vlerësojmë lidershipin që ka treguar Presidentja. E di që ajo ka përkushtim për sundim të ligjit dhe zbatim të Kushtetutës. Ne besojmë se kjo Presidente, mendoj se mund të flas për Presidentin tim Obama, Sekretaren e shtetit, Klinton, se kjo Presidente ka qenë një fytyrë shumë pozitive për këtë shtet në këto 15 muajt e fundit, në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në rajon dhe në lidershipin në vend dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjatë mandatit të saj. Edhe njëherë faleminderit për mirëseardhje aq të ngrohtë , jam gjithmonë i lumtur kur jam këtu dhe ju uroj të gjitha të mirat.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.