DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi Komunën e Parteshit dhe të Kllokotit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Atifete Jahjaga e shoqëruar nga Zëvendëskryeministri dhe ministër i administrimit të pushtetit lokal, zotëri Sllobodan Petroviq, në kuadër të vizitave në komunat e Kosovës vizitoi Parteshin dhe Kllokotin.

Presidentja Jahjaga në komunën e re të Parteshit u prit nga kryetari i saj, zotëri Nenad Cvetkovič dhe një numër i qytetarëve të kësaj komune, me të cilët bisedoi për zhvillimet në këtë komunë, problemet dhe sfidat e saj si dhe për arritjet e deritashme që prej krijimit të saj. Kryetari i Parteshit, zotëri Cvetkoviq e njoftoi Presidenten Jahjaga me aktualitetet në komunë dhe me nevojat e qytetarëve të saj dhe theksoi se zhvillimi i komunës së re të Parteshit do të jetë edhe një sukses i përbashkët në Kosovë.

Presidentja Jahjaga theksoi se vizita e saj në këtë komunë po bëhet për  t’u njoftuar më për së afërmi me të gjtiha kerkësat dhe nevojat e qytetarëve të saj dhe për të ofruar përkrahje për zhvillim e përgjithshëm të saj. Ajo tha se

Komuna e Parteshit, sikurse edhe ajo e Kllokotit, janë një rrëfim i suksesshëm në realizimin e të drejtave të qytetarëve, në nivel të komune.

Presidentja Jahjaga tha se republika e Kosovës është shtet qytetar ku të gjithë njerëzit i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre pamarre parasysh numrin përkatësinë etnike e fetare. Ajo i inkurajoi qytetarët serbë të Kosovës, përmes qeverisjes të nivelit komunal që të marrin përgjegjësitë për realizimin e të drejtave të tyre kolektive, kombëtare në arsim, në shëndetësi, kulturë duke u bërë bartës të zhvillimit dhe të përparimit ekonomik e të përgjithshëm.

“Vizioni ynë i përbashkët është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Presidentja Jahjaga.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga,  e vizitoi edhe  komunën e  Kllokotit, ku u prit nga kryetari Sasha Mirkoviq, dhe udhëheqësit e tjerë të komunës. Ajo u prit ngrohtë nga qytetarë të shumtë të kësaj komune, të banuar me popullatë të përzier.

Në takim, Presidentja Jahjaga u informua  për të gjitha projektet që janë në proces e sipër të realizohen dhe vështirësitë dhe problemet e sfidat me të cilat përballen qytetarët e kësaj komune. Kryetari i komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, duke e vlerësuar si të rëndësishme vizitën e Presidentes dhe të zvkryeministrit Petroviq, e njoftoi Presidenten me të arriturat e kësaj komune, me përmirësimin e kushteve të jetesës e në veçanti të infrastrukturës si dhe me investimet që janë bërë në këtë komunë. Ai tha se është e nevojshme një mbështetje më e madhe edhe e institucioneve qendrore në Prishtinë.

Presidentja Jahjaga tha se vizita e saj në Kllokot bëhet me qëllim të njoftimit me të arriturat dhe me nevojat e kësaj komune dhe çka duhet bërë, veçanërisht në gjetjen e zgjidhjeve institucionale për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve në këtë Komunë por edhe në Komunat e tjera të Kosovës.

“Komuna e Kllokotit është një tregim jashtëzakonisht i suksesshëm, është një prej projekteve të para të realizuara përmes procesit të decentralizimit dhe unë isha sot dëshmitare e këtij suksesi dhe këtyre të  arriturave të mira që janë bërë për më shumë se një vit në këtë komunë. Vizitat e mia nuk do të përfundojnë këtu por do të vazhdojnë në të gjitha komunat e tjera të Republikës së Kosovës, theksoi Presidentja Jahjaga në përfundim të këtyre vizitave në komunat Partesh dhe Kllokot.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.